Flash News

E-TJERA

Nga përshpejtimi i integrimit te tregu i përbashkët, përfundimet që arriti Samiti BE-BP në Tiranë

Nga përshpejtimi i integrimit te tregu i përbashkët,

Lidert e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor firmosën dje deklaratën e përbashkët me përfundimet e nxjerra nga diskutimet dhe shkëmbimet e mendimeve gjatë Samitit BE-BP.

Në deklaratën e nënshkruar, thuhet se “përshkallëzimi i luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe globale dhe nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.”

Liderët e BE-së kanë konfirmuar edhe njëherë angazhimin për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në union dhe vlerëson progresin e bërë deri tani nga rajoni.

“BE-ja ripohon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke u bazuar te reformat e besueshme të Partnerëve, te kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit, gjë që është në interesin tonë të përbashkët. BE-ja përshëndet progresin e bërë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin përkatës drejt BE-së që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo, në tetor 2021. Në veçanti, BE-ja përshëndet mbajtjen e Konferencave të para Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, thuhet në deklaratë.

Deklarata thekson rëndëisnë e reformave të ndërmarra nga vendet e rajonit, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit.

“BE-ja rikujton rëndësinë e vazhdimit të reformave, si për të mirën e qytetarëve ashtu edhe si bazë për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, dhe në veçanti të atyre reformave që lidhen me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”

Sa i përket integrimit të Ballkanit Perëndimor në Tregun e brendshëm të BE-së, deklarata e Samitit vlerëson “shtimin e përpjekjeve për të rritur integrimin e Ballkanit Perëndimor me Tregun e brendshëm të BE-së”.

“Tregu i Përbashkët Rajonal (TPR) i Ballkanit Perëndimor duhet të shërbejë si pikëmbështetjeje për këtë integrim. BE-ja përgëzon marrëveshjet e fundit të partnerëve për lëvizjen e lirë dhe njohjen e letërnjoftimeve për të gjithë qytetarët e rajonit si dhe për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale brenda rajonit.”

Samit BE-Ballkani Perëndimor u mbajt dje në Tiranë. 27 liderë evropianë mbërritën në kryeqytetin shqiptar të cilët diskutuan mes tyre për një sërë çështjesh duke filluar nga agresioni rus në Ukrainë, integrimi i vendeve të rajonit në BE e deri te intensifikimi i politikave.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit