Flash News

E-TJERA

“Se pinë as lopët”/ Banorët e Postribës duhet të presin pranverën për ujë të pijshëm

“Se pinë as lopët”/ Banorët e Postribës duhet

Banorët e Postribës në Shkodër prej kohësh kanë bërë thirrje për të gjetur një zgjidhje për ndotjen e ujit, që sipas tyre shkaktohet nga gurorja e cila ndodhet pranë burimit.

Sot banorët, për të dytën herë radhazi brenda javës, kanë dalë sërish në protestë por këtë herë janë zhvendosur para Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër.

Me pankarta në duar, banorët kërkojnë që autoritetet përgjegjëse t’i japin një zgjidhje problemit. "Thonë është i pijshëm por këtë se pinë lopët jo më njerëzit. Kafshët i bëjnë bisht që mos ta pinë", thotë një banor teksa tregon shishen me ujë që duket terësisht i turbullt”, u shpreh njëri nga banorët.

Në një deklaratë për mediet, kreu i Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër, Mark Molla, tha se problemi që shkakton edhe ndotjen e ujit lidhet me bashkimi e ujërave të përroit me burimin, duke premtuar se zgjidhja përfundimtare do të jepet në pranverë. Pra, banorët e Postribës do të duhet të presin pranverën për të pasur ujë të pijshëm.  

"Pata një takim me administratorin dhe një përfaqësi të banorëve të Postribës. Aty ka një problem që bashkohen ujërat e përroit me burimin, kemi inspektuar situatën në terren. Do të bëjmë të mundur një zgjidhje teknike që uji i burimit të ndahet nga uji i përroit. Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve nuk jep leje për gurore, as lëndë drusore, as për aktivitete të ndryshme, shohim vetëm Ujësjellësin. Ka nevojë për shumë ndërhyrje në të gjithë njësitë administrative që mbulon Bashkia Shkodër. Ndarja e ujit në pranverë zgjidh përfundimisht problemin. Ujësjellësi është ndërtuar në vitet '74-'75, janë bërë ndërhyrje të tjera por nuk është parë me themel zgjidhja teknike që duhet me i dhënë ujit të burimit", deklaroi ai për mediet.

Edhe banorët konfirmuan marrëveshjen e arritur mes tyre dhe Ujësjellës-Kanalizimet Shkodër. Megjithëse, duket s’zgjidhja tashmë është gjetur, disa prej tyre kanë rezerva duke kërkuar që nëse ndërmarrja nuk ndërhyn, atëherë le të jetë Prokuroria ose SPAK, ata që do t’i japin zgjidhje.

"Ky është uji që pijmë këtu dhe 8 muaj prej një deklarate që ka bërë ky zotëria këtu që thotë Ujësjellësi është 2 km kur ai nuk është mbi 100 metër largësi ku punojnë ata me çekiç. Duam të ndërhyjë prokuroria, ndryshe shkojmë në SPAK. Nëse dhe SPAK nuk bën gjë do ta çojmë deri në Strasburg. Nuk durojmë më, ky është fundi, nuk ka më tolerime. Nga takimi 30% jemi dakord se nuk varet prej tij, duhen hequr gurët prej andej patjetër", deklaroi një banor.

Të fundit