Flash News

E-TJERA

Seanca për Laert Haxhiun, kërkohen 60 dëshmitarë, përfshirë babanë e Noizyt dhe Cllevion

Seanca për Laert Haxhiun, kërkohen 60 dëshmitarë,
Seanca e radhës në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiu u zhvillua këtë të mërkurë, ku mbrojtja paraqiti një kërkesë të gjerë për thirrjen e rreth 60 dëshmitarëve. Sipas avokatëve, dëshmitë e tyre janë thelbësore për sqarimin e plotë të rrethanave të çështjes.

Vetë Haxhiu, i cili mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit.

Në lidhje me episodin e vendosjes së tritolit në dyqanin e reperit Noizy në Durrës, mbrojtja kërkoi që të thirren si dëshmitarë Bashkim Rajku, si dhe Kleviol Ahmetaj, i cili është ekstraduar disa muaj më parë nga Dubai.

Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Behar Dibra, kërkoi që procesi i marrjes së provave të nisë me dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani, rrëfimet e të cilit kanë ndikuar ndjeshëm në rëndimin e pozitës së grupit të Haxhiut.

Seanca e radhës është caktuar për më 29 prill, në orën 08:30, ndërsa mbetet e paqartë nëse Haxhiu do të paraqitet për t’u përballur në GJKKO me ish-bashkëpunëtorin e tij.

Laert Haxhiu ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj tij rëndojnë akuza për disa vepra të rënda penale.

32-vjeçari njihet si një nga organizatorët dhe autorët e masakrës së Lushnjes, e ndodhur në tetor të vitit 2017, ku mbetën të vrarë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, ndërsa u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

Objektiv i atentatit ishte Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës së Lushnjes, Aldo Bare, i konsideruar si kundërshtar i Haxhiut.

Të fundit