Flash News

E-TJERA

Sejko: Qeveria të shkurtojë shpenzimet joprioritare, të mbështeten shtresat ‘e brishta’

Sejko: Qeveria të shkurtojë shpenzimet joprioritare, të

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, prezantoi para Komisionit Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave raportimin vjetor lidhur me situatën ekonomike dhe financiare.

Sejko tha se është e domosdoshme që politikat fiskale të mbështesin më shumë shtresat në nevojë dhe që janë goditur më shumë nga vala e inflacionit. Ai kërkoi që qeveria të shkurtojë shpenzimet joprioritare dhe të ofrojë mbështetje financiare pikërisht për këto shtresa.

Sejko iu referua rritjes së çmimeve duke kërkuar rishikimin e shpenzimeve qeveritare.

Banka e Shqipërisë pret që ekonomia të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në vijim. Guvernatori tha se inflacioni do të mbetet në nivele relativisht të larta gjatë vitit 2022, ndërsa pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023.

“Këto projeksione mbështeten në tre konsiderata të rëndësishme. Së pari, ato supozojnë mospërshkallëzimin e konfliktit dhe vijimin e rritjes në partnerët tanë tregtarë. Së dyti, ato faktorizojnë bazat solide në të cilat ndodhet ekonomia shqiptare pas rimëkëmbjes së gjithanshme të vitit 2021. Në mënyrë të përmbledhur, më lejoni të theksoj se ekonomia shqiptare e mbylli vitin 2021 me parametra të përmirësuar ekonomikë e financiarë. Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit, punësimi u zgjerua dhe rritja e pagave u përshpejtua. Në tërësi, bilancet e sektorit privat u përmirësuan, stabiliteti monetar dhe financiar i vendit u konsolidua, dhe tregjet financiare funksionuan normalisht. Në veçanti, sektori bankar ruajti tregues të mirë likuiditeti, kapitalizimi dhe rentabiliteti. Së treti, ato kërkojnë rishikimin e vazhdueshëm të miksit të politikave ekonomike. Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, këto politika duhet të vijojnë të ofrojnë mbështetje për procesin e rimëkëmbjes, por pa paragjykuar për asnjë moment stabilitetin monetar e financiar të vendit. Ky stabilitet ka qenë dhe mbetet një parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies së shoqërisë,” tha Sejko.

Referuar: Monitor

Të fundit