Flash News

E-TJERA

Sekuestrohen në Portin e Durrësit 6.5 kilogramë kokainë, u gjet sërish në kontenierin e firmës "Alba Exotic Fruit"

Sekuestrohen në Portin e Durrësit 6.5 kilogramë kokainë, u
Foto nga kokaina e sekuestruar

Kapet sërish kokainë në portin e Durrësit.

Policia bën me dije se pas kontrollit në 10 kontenierë me banane për llogari të firmës "Alba Exotic Fruit", është sekuestruar një tjetër sasi kokaine.

“Vijon operacioni policor i koduar "Rada", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën trafikimit të lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacionit “Rada" të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë, dhe veprimeve hetimore të kryera më datë 17.07.2021, ku në Port u konstatuan të hapur dy kapakë të njërit prej kontenierëve për llogari të firmës "Alba Exotic Fruit", tjetër sasi kokaine është sekuestruar pasditen e sotme.

Në vijim të operacionit "Rada" pasditen e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit është ushtruar kontroll i imtësishëm në 10 kontenierë për llogari të kësaj kompanie, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në një nga kontenierët u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e një grupi të posaçëm prokurorësh të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe të SPAK-ut.

Në nisje të operacionit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. G., (menaxheri i firmës) dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës, shtetasi E. D”, njofton policia.

Historiku

Disa ditë më parë, në kontenierin e të njëjtës firmë u gjet edhe 11.65 kg kokainë mes bananeve nga Ekuadori.

E njëjta firmë ka qenë e implikuar edhe në transportin e 137 kilogramëve kokainë, të kapur fillimisht në Portin e Pireut në 2019. 

Policia greke pikasi kokainën në 4 konteinerë të “Alba Exotic Fruit” në gusht të 2019, por nuk e sekuestroi; përkundrazi, e zëvendësoi pjesën më të madhe të drogës me oriz.

Më pas, pala greke e nisi me gjurmues drejt destinacionit final, me synim kapjen e pritësve.

Në një operacion të koordinuar mes policisë greke, asaj shqiptare dhe DEA-s amerikane, sasia u kap në portin e Durrësit.

Për rastin, u arrestuan Ardian Begës, punonjës i portit Durrës dhe Altin Myslimhaka, punonjës pastrimi në një anije peshkimi, si dhe u shpall në kërkim, pas arratisjes, Gentian Malindi, pronari i anijes së peshkimit, që ishte pritësi i ngarkesës.

Të fundit