Flash News

E-TJERA

Sekuestrohet mbi 1 kg kokainë, 4 në pranga/ Në momentin e arrestimit goditën makinën e policisë dhe nxorrën armët

Sekuestrohet mbi 1 kg kokainë, 4 në pranga/ Në momentin e

Policia e Durrësit ka goditur një rast të trafikut të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje, duke arrestuar 4 persona.

Në kuadër të operacionit "Nënkalimi" janë vënë në pranga shtetasit: Arian Plaku, 46 vjeç, banues në Durrës; Edmond Gjyzeli, 37 vjeç, banues në Durrës; Ilir Peraj, 52 vjeç, banues në Tiranë dhe Stavri Marku, 60 vjeç, banues në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, dy prej tyre janë me precedent të theksuar kriminal për vrasje, mbajtje të ambienteve për prostitucion dhe prodhim dhe shitje të narkotikëve. 

Policia njofton se fillimisht, rreth orës 14:15, në vendin e quajtur "Nënkalimi i Urës së Dajlanit", uniformat blu kanë ndaluar mjetin tip "BMW", me drejtues shtetasin Edmond Gjyzeli dhe pasagjer shtetasin Arian Plaku. Gjatë kontrollit në mjet, në pjesën e poshtme të sediljes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike kokainë.

Sipas burimeve zyrtare, në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik, shtetasit Edmond Gjyzelit iu gjet në brez një armë zjarri pistoletë me 14 fishkë. Ky shtetas, gjatë ndalimit të mjetit nga forcat e Policisë, ka goditur automjetin e agjentëve të Forcës së Posaçme Operacionale me automjetin e tij dhe gjatë arrestimit, ka tentuar të nxjerrë nga brezi armën e zjarrit. 

Sipas bluve të Durrësit, në vijim të operacionit, janë arrestuar dhe Ilir Peraj dhe Stavri Marku, pasi janë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike e dyshuar kokainë, 1 armë zjarri pistoletë me 14 fishekë, 4 aparate celular dhe 2 automjete. 

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Armëmbajtja pa leje".

Të fundit