Flash News

E-TJERA

Senati italian miraton marrëveshjen për pensionet me Shqipërinë, ja sa emigrantë përfitojnë

Senati italian miraton marrëveshjen për pensionet me

Senati italian ka miratuar sot me 127 vota pro dhe asnjë kundër marrëveshjen dypalëshe për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila do të sjellë përfitime për mijëra qytetarë të të dyja vendeve.

Nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, si dhe rreth 4 mijë italianë me leje qëndrimi në Shqipëri, përfshirë ata me biznese.

Ajo garanton që asnjë qytetar të mos humbasë kontributet e paguara, duke mundësuar krijimin e kushteve ligjore për marrjen e pensionit në të dy vendet.

Marrëveshja mbulon pensionin e pleqërisë, invaliditetit dhe familjar, si për punonjësit e punësuar ashtu edhe për të vetëpunësuarit, si artizanët, tregtarët e fermerët. Gjithashtu, ajo përfshin përfitimet për sëmundjet, shtatzëninë dhe papunësinë.

Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, qytetarët që janë në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku jetojnë. Vitet e punës do të bashkohen, duke mundësuar përfitimin e pensionit edhe për ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të një shteti të vetëm.

Për të përfituar pension në Itali duhen të paktën 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri 15 vite. Nëse dikush ka 10 vite punë në Shqipëri dhe 10 vite në Itali, ai do të marrë dy pensione: një nga Italia dhe një nga Shqipëria, bazuar në kontributet përkatëse.

Të fundit