Flash News

E-TJERA

Serbia nuk lejoi delegacionin nga Kosova në Kampionatin Botëror të Boksit, asnjë reagim nga qeveria shqiptare

Serbia nuk lejoi delegacionin nga Kosova në Kampionatin Botëror

Ende asnjë reagim nga autoritetet shqiptare për situatën e krijuar së fundmi midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo e fundit i ndaloi hyrjen në territorin e saj delegacionit përfaqësueses së Kosovës në boks.

Kujtojmë që ata u nisën disa here drejt Beogradit për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, në kategorinë e meshkujve, që zhvillohet në kryeqytetin serb nga 24 tetori deri më 6 nëntor, por u kthyen mbrapsht.

Qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë koment për këtë ngjarje, e cila ka ngjallur shumë reagime ditët e fundit.

I vetmi reagim nga Shqipëria ishte i delegacionit të vendit tonë që refuzoi të marrë pjesë në Botërorin e boksit. Kjo u konfirmua nga trajneri i Kosovës Besim Brahimi, i cili falënderoi homologun nga Shqipëria, Zef Gjonin.

Lidhur me këtë rast ka reaguar dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili deklaroi se Serbia duhet ta tregojë forcën në ring dhe jo në kufi.

Duke e cilësuar shkelje, Kurti i bëri thirrje ndërkombëtarëve që ta dënonin këtë sjellje diskriminuese.

"Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ringun e boksit jo në kufi. Vendimi i tyre për të mos lejuar hyrjen e sportistëve tanë për Kampionatin Botëror të Boksit 2021 është një shkelje. I bëj thirrje BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar për të dënuar këtë shkelje dhe veprim diskriminues", thuhej në reagimin e Kurtit.

Kjo sjellje e Serbisë u dënua dhe nga Federata Ndërkombëtare e Boksit (AIBA). Në reagimin e saj thuhej se të gjithë sportistët duhet të kenë një shans të barabartë në garë, ndërsa i kërkoi Serbisë që të lejonte delegacionin nga Kosova të shkonte në Beograd.

Të fundit