Flash News

E-TJERA

Shano: Çdo kilovat mbi 800 kWh do të paguhet 5 herë më shumë, godet shtresën e mesme

Shano: Çdo kilovat mbi 800 kWh do të paguhet 5 herë më

Një ditë më parë qeveria njoftoi rikthimin e energjisë me fasha. Çdo abonent konsumator që shpenzon mbi 800 kWh do të paguajë me çmim tregu, pra më shtrenjtë se abonentët e tjerë.

Kryeministri Rama pohoi se çmimi për abonentët që e kalojnë fashën e 800 kWh do të faturohen me çmim 42 lekë, ndryshe nga të tjerët që nuk do të kenë ndryshim dhe do të vijojnë të faturohen me 9.5 lekë.

Ekonomisti Dritan Shano tha për “Opinion” në News 24, se qeveria ka njoftuar vetëm vendosjen  e fashës, por nuk ka përcaktuar periudhën kohore se sa do të zgjasë fasha. Më tej, Shano shton se është ERE institucioni përgjegjës që vendos nëse do të ketë fashë ose jo, dhe jo qeveria e cila vetëm propozon.

Sipas ekonomistit, çdo kilovat mbi 800 kWh do të paguhet 5 herë më shumë dhe do të godasë shtresën e mesme.

“Këtij monologu të qeverisë u mungon ekzaktësisht momenti se kur do të hiqet pagesa me fasha. Se ata pretendojnë se jemi në një situatë kritike dhe ndaj e morëm këtë masë. Qeveria të shpjegojë se deri kur do të jetë e aplikueshme kjo masë. Më shqetëson fakti se qeveria flet kur qeveria është propozuese e thjeshtë, është ERE që vendos nëse do aplikojë këtë vendim. Nuk më pëlqen mënyra, toni më të cilin qeveria flet ndërkohë që është një institucion i pavarur prej saj që vendos futjen ose jo të kësaj fashe. Unë nuk di realisht se çfarë do të kursejë qeveria me këtë fashë. Unë mendoj se njerëzit që jetojnë në këtë vend, investojnë dhe punojnë në këtë vend, pengohen nga qeveria si të ishin kulakë. Sepse bëhet fjalë për shtresën e mesme të popullsisë, mbi të cilët tashmë rëndon një taksë prej 23% tatim mbi të ardhurat dhe do rëndojë fort kjo fashë 800 kWh.

Qeveria ndërron rregullat e lojës në mes të lojës, në vend që të garantoj zbatimin e rregullave. Që kur nisi skenografia me tanke për të ndalur pandeminë, me një skenografi që lëvizi nga shëndeti, po shkon te energjia dhe për mendimin tim më pas do lëvizi te ushqimi. Kjo skenografi nuk gjen arsye pse do ndodhi, se pse e bëjnë qeveritë nuk e di por do e marrim vesh. S’besoj se ulja e fashës do uli konsumin e energjisë në atë pikë që të kursehet dhe të mbushi deficitin buxheti e krijuar ndër vite nga OST dhe KESH-i.

Kjo situatë mund të na përballë me diçka të keqe, për sa kohë do të na duhet të importojmë energji. Ajo çka ndodh me gazin rus se Putin ka mbyllur rubinetet e gazit, kjo na prek ne kur bëjmë import energjie, por për sa kohë furnizohemi me energjinë që prodhohet në vend, s’gjej vend për aplikimin e fashës së kursimit.

Mendoj që goditen rreth 20 mijë, diçka më shumë ose më pak qytetarë. Këta njerëz që në një mënyrë apo tjetrën janë lokomotiva e shoqërisë shqiptare. Ata që krijojnë të ardhura në një farë mënyrë të pakontrolluara nga qeveria dhe që mendojnë ndryshe nga qeveria. Janë njerëz që jo çdo qeveria ka fort qejf t’i ketë dhe kjo e jona ka nisur t’i godasë qëkur ka ardhur në pushtet.

Çdo kilovat mbi 800 kWh do paguhet 5 herë më shumë. Shqipëria gjithmonë është e fundit në rajon me këto gjëra dhe rasti i çmimeve të energjisë elektrike është po ashtu i njëjtë, siç jemi me rrogat dhe çdo gjë, kemi ekonomi të fundit në Europë dhe në rajon. Jemi në një pozicion jo fort të favorshëm”, u shpreh Shano.

Të fundit