Flash News

E-TJERA

Shembjet/ Banorët para kryeministrisë: Qeveria po kërcënon, patronazhistët u shkojnë në darkë në shtëpi

Shembjet/ Banorët para kryeministrisë: Qeveria po kërcënon,

Banorët që preken nga projekti i rindërtimit dhe rikualifikimit urban kanë dalë sërish në protestë. Ata janë mbledhur para kryeministrisë, ku kërkojnë që shteti t’u sigurojë shtëpi, pas shembjes së banesave.

Një prej protestuesëve tha se banorët po kërcënohen me të gjitha format, që të heqin dorë nga rezistenca.

“Me familjet e tjera po ndodh ajo që ka ndodhur në zonën e Astirit, u arrestuan disa dhe të tjerë po intimidohen, po mashtrohen, se shkojnë patronazhistat në darkë dhe i thonë ‘njoh një drejtor unë aty, do ta mbyll unë çështjen, do marrësh diçka ti aty’.

Ka nga ata që punojnë në administratë dhe kërcënohen që mos të dalë familja në protestë se do ju heqim nga puna. Kërcënohen fëmijët që do hiqen nga çerdhja. Unë nuk e kuptoj se çfarë është më e rëndësishme se një banesë, një punë e gjen”, tha një protestues.

Më herët ata kanë paralajmëruar se do të hyjnë në grevë urie. Banorët kanë protestuar disa herë para Parlamentit, Drejtorisë së Policisë, por zgjidhje kanë kërkuar edhe para ambasadës amerikane dhe asaj të BE-së.

Disa javë më parë ata zhvilluan një takim me kryeministrin Edi Rama, i cili rezultoi jo i suksesshëm. Banorët kanë refuzuar të firmosin marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës me arsyetimin se nuk mbron interesat e tyre.

Nga ana tjetër qeveria mohon se do i nxjerrë në rrugë, duke premtuar se në këmbim do të marrin shtëpi. Te zona e “5 Majit” janë parashikuar të shemben në total 430 banesa, ndërsa dhjetëra prej tyre, pavarësisht rezistencës së banorëve, tashmë janë prishur.

Të fundit