Flash News

E-TJERA

Shkarkimi i Metës, Gjykata Kushtetuese cakton datën e seancës

Shkarkimi i Metës, Gjykata Kushtetuese cakton datën e seancës

Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën e seancës, ku do të vendosë për shkarkimin ose jo të Presidentit Ilir Meta. "Kushtetuesja" ka vendosur që seancën ta zhvillojë më 18 janar në orën 10.00.

Kuvendi miratoi më 9 qershor me 104 voto pro shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës. Meta është presidenti i parë i Republikës që u shkarkua me një nismë të tillë nga Kuvendi.

Tani është Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë përfundimisht nëse gjetjet e Parlamentit, për shkelje të rënda të Kushtetues nga Ilir Meta, janë të bazuara apo jo.

Për shkarkimin e tij, socialistët ngritëm Komisionin Hetimor, i cili për disa javë mblodhi fakte, që sipas tij, vërtetonin shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit Ilir Meta, dhe që ishin kryesisht deklarata të bëra nga ky i fundit në media apo në rrjetet sociale.

Kujtojmë se para zgjedhjeve të 25 prillit, Meta u përfshi në një sërë replikash të ashpra dhe përplasje me Partinë Socialiste dhe u zotua se do të mundësonte votën e lirë të shqiptarëve. Pavarësisht nismës së socialistëve, ai u shpreh se nuk do ta njihte vendimin dhe se do të qëndronte në detyrë deri në përfundim të mandatit, korrik 2022.

Pas zgjedhjeve, Kreu i Shtetit është tërhequr, duke thënë se Kuvendi është i plotë dhe se është detyra e ligjvënësve të mbrojnë interesin e qytetarëve.

Të fundit