Flash News

E-TJERA

Shkarkimi i Metës/ Gjykata Kushtetuese merr në shqyrtim çështjen, ende s'ka datë

Shkarkimi i Metës/ Gjykata Kushtetuese merr në shqyrtim

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të marrë në shqyrtim çështjen e shkarkimit të Presidnetit Ilir Meta. Ajo ka njoftuar sot se ka marrë vendimin për ta kaluar çështjen në seancë plenare publike, por nuk ka caktuar ende datën se kur do të zhvillohet.

Kuvendi miratoi më 9 qershor me 104 voto pro shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës. Meta është presidenti i parë i Republikës që u shkarkua me një nismë të tillë nga Kuvendi. Tani është Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë përfundimisht nëse gjetjet e Parlamentit, për shkelje të rënda të Kushtetues nga Ilir Meta, janë të bazuara apo jo.

Për shkarkimin e tij, socialistët ngritëm Komisionin Hetimor, i cili për disa javë mblodhi fakte, që sipas tij, vërtetonin shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit Ilir Meta, dhe që ishin kryesisht deklarata të bëra nga ky i fundit në media apo në rrjetet sociale.

"Gjykata e ka marrë në shqyrtim paraprak këtë çështje në përputhje me afatet procedurale të parashikuara në ligjin e saj organik dhe në Rregulloren e Brendshme, ndërkohë që veprimtaria e saj për shqyrtimin e të gjitha çështjeve ka qenë e pezulluar për periudhën 1 gusht 2021 deri në 10 shtator 2021, e cila përkon me lejen vjetore të gjyqtarëve, në bazë të nenit 18, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim të shqyrtimit paraprak të kësaj çështjeje, bazuar në nenin 62 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, Gjykata vendosi: “Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike”, data e së cilës do të caktohet në përputhje me rregullat procedurale të gjykimit kushtetues", thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Të fundit