Flash News

E-TJERA

Shkarkimi i Nanos, eksperti: Politika po pengon reformimin e policisë, riciklohen të njëjtët drejtues

Shkarkimi i Nanos, eksperti: Politika po pengon reformimin e policisë,

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi njoftoi dje vendimin e qeverisë për të shkarkuar nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano. Ky i fundit u përfol dy ditë më parë në media se kishte dhënë dorëheqjen, gjë që u mohua nga Nano.

Drejtuesi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Sotiraq Hroni, tha për VOA se shkarkimi i Nanos tregon se reformimi në Policinë e Shtetit nuk po funksionon për shkak të ndërhyrjeve të politikës. AI tha se argumenti i Çuçit për shkarkimin e Nanos se “nuk kishte përmbushur objektivat” është i paqëndrueshëm.

“Nuk besoj se ekziston një dokument i bërë publik, me një set objektivash, që qeveria ia vendos drejtorit të përgjithshëm. Kjo nuk ekziston si filozofi as në emërimin e shefave kryesorë as atyre në qarqe. Nuk ka një dokument publik as kur u emërua zoti Nano, që të thuhet se këto kanë qenë objektivat dhe këto nuk u përmbushën”, tha Hroni.

Emërimet kryesore në radhët e policisë kontrollohen nga politika, thotë ai aq sa duket një listë e mbyllur që rrotullohet në pak emra për mbi 10 vite.

“Një nga gjërat që unë mendoja se zoti Nano do ta bënte pak më mirë, është të mos riciklohen të njëjtat emra drejtuesish nga 2016 e deri sot. Janë po ata drejtues policorë, i njëjti staf dhe kjo nuk sjell ndryshim të madh. Këtë nuk e kuptoj, se si flitet për reforma, dhe mbeten po ata njerëz, që vetëm ndryshojnë vendet”, u shpreh Horni.

Të fundit