Flash News

E-TJERA

Shkarkimi i Veliajt ndez debatin në Kushtetuese/ Përfaqësuesja e Ramës: Gjykata s’ka kompetencë

Shkarkimi i Veliajt ndez debatin në Kushtetuese/ Përfaqësuesja e

Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave ka parashtruar argumentet për shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës. Ajo ka theksuar se kjo çështje nuk i takon fare Gjykatës Kushtetuese ta gjykojë.

Gjatë seancës gjyqësore, pala kundërshtare, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, Irma Qose paraqiti argumente të detajuara duke pohuar se shkarkimi, i bazuar në një mungesë tre mujore në detyrë, është një çështje ligjshmërie dhe jo kushtetutshmërie, duke e vendosur atë jashtë juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese.

Në thelb të debatit ligjor qëndron arsyeja për largimin e kryebashkiakut nga detyra: një mungesë e pandërprerë për një periudhë tre mujore.

 Kjo situatë parashikohet shprehimisht si shkak për shkarkim në nenin 62, shkronja "c", të ligjit të posaçëm për vetëqeverisjen vendore. Sipas kërkuesit, kryebashkiakut të shkarkuar, largimi i tij përbën një "shkelje të rëndë të Kushtetutës", një arsye e përcaktuar në nenin 115 të Kushtetutës, e cila do të ishte e vetmja mënyrë për të legjitimuar çështjen e tij përpara këtij trupi gjykues.

Megjithatë, argumenti i paraqitur në gjykatë e kundërshton këtë pretendim, duke e cilësuar mungesën tre mujore jo si një shkelje kushtetuese, por si një bazë të veçantë, objektive dhe faktike për shkarkim. Argumenti thekson se neni 62 i ligjit ofron tre arsye të ndryshme dhe alternative për largimin e një kryetari bashkie: a) shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe ligjeve, b) dënim penal i formës së prerë, dhe c) mungesa tre mujore e pandërprerë. Këto paraqiten si skenarë të ndarë dhe, ndryshe nga dispozitat për zyrtarë të tjerë si deputetët, klauzola e mungesës nuk kërkon provën e dashjes apo të pajustifikueshmerisë. Mjafton vetëm fakti objektiv i mungesës.

Më tej, pala mbrojtëse e Veliajt, pohon se roli i Këshillit të Ministrave në këtë proces ishte thjesht deklarativ, duke konstatuar zyrtarisht një gjendje fakti – mungesën e zgjatur – e cila sipas ligjit shkakton automatikisht ndërprerjen e mandatit. Rrjedhimisht, mosmarrëveshja nuk ka të bëjë me një shkelje kushtetuese që duhet të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese, por me zbatimin e saktë të një ligji specifik.

Në përfundim, gjykatës iu kërkua të shpallë moskompetencën e saj për këtë çështje. Argumenti thekson se çdo ankim ndaj shkarkimit duhet t'u drejtohet gjykatave administrative, të cilat kanë juridiksionin për të shqyrtuar ligjshmërinë e akteve administrative, dhe jo Gjykatës Kushtetuese, mandati i së cilës është mbrojtja e ligjit themeltar nga shkeljet e rënda.

Të fundit