Flash News

E-TJERA

Shkollat do nisin mësimin dy javë para datës zyrtare, Kushi: Do rikuperojmë mangësitë nga mësimi online

Shkollat do nisin mësimin dy javë para datës zyrtare, Kushi: Do

Viti i ri shkollor do të fillojë dy javë para datës së përcaktuar, 13 shtator, për të rikuperuar mangësitë e krijuara nga mësimi online i zhvilluar vitin e kaluar. Ky plan do të zbatohet në varësi të nevojave që ka çdo shkollë.

Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Arsimit, Evis Kushi gjatë fjalës së saj në konferencën e organizuar nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP) në bashkëpunim me MASR dhe “UNICEF Albania”, ku u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet për të diskutuar më tej rreth ndërhyrjeve të mundshme në sistemin arsimor.

“Jemi të vetëdijshëm që ka pasur edhe mangësi në njohuri apo kompetenca të nxënësve. Për këtë arsye, në muajt e fundit kemi punuar intensivisht edhe me ekspertët e MASR dhe ASCAP për të hartuar një strategji se si t’i plotësojmë këto mangësi. Ne kemi vendosur që për vitin e ardhshëm 2021-2022, dy javë përpara datës zyrtare të fillimit të vitit shkollor, ne do të kemi mësimin plotësues në të gjitha shkollat tona. Ky do të jetë një plan fleksibël në varësi të nevojave specifike që ka çdo shkollë apo zyrë arsimore”, tha ministrja.

Nxënësit gjatë vitit të kaluar shkollor zhvilluan një pjesë të mësimit online për shkak të masave të marra nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për situatën epidemiologjike në vend.

Të fundit