Flash News

E-TJERA

Shkurti i ngrohtë, por i paqëndrueshëm: Meteorologia tregon kur përmirësohet moti

Shkurti i ngrohtë, por i paqëndrueshëm: Meteorologia tregon kur

Muaji shkurt ka nisur me mot të paqëndrueshëm dhe reshje shiu në të gjithë territorin e vendit. Meteorologia Ladja Porja ka dhënë detaje mbi situatën atmosferike, duke theksuar se reshjet do të jenë prezente gjatë gjithë muajit, ndërsa një përmirësim i ndjeshëm i motit pritet vetëm në javën e fundit të shkurtit.

Sipas Porjas, shkurti do të karakterizohet nga temperatura relativisht të larta për këtë periudhë, por i shoqëruar me rebeshe shiu dhe paqëndrueshmëri atmosferike.
“Do të mbetemi në kushte të paqëndrueshme. Sot pati një përmirësim të përkohshëm të motit, ndërsa reshjet nuk do të jenë në sasi të mëdha. Nesër pasdite, pra të mërkurën, priten reshje më të dendura”, u shpreh meteorologia.

Ajo shton se edhe dita e enjte dhe e premte do të jenë me vranësira dhe reshje gjatë paradites, ndërsa pasditeve priten rebeshe shiu. Edhe fundjava do të vijojë me mot të paqëndrueshëm.

“Të gjitha ditët do të shoqërohen me reshje, ku më të rrezikuarat do të jenë dita e mërkurë dhe e dielë. Qytetet më të ekspozuara ndaj intensiteteve të larta të shiut janë Shkodra, Lezha dhe Durrësi, si dhe i gjithë jugu, përfshirë Vlorën, Sarandën, Gjirokastrën, Përmetin dhe Tepelenën”, theksoi Porja.

Për ditën e nesërme priten gjithashtu stuhi të forta ere, kryesisht në zonat bregdetare, duke sjellë probleme në trafikun detar.

Sa i përket temperaturave, ato do të mbeten relativisht të larta, me minimale rreth 4 gradë Celsius dhe maksimale që arrijnë deri në 18–19 gradë.

Sipas parashikimeve, reshjet do të jenë prezente deri rreth datës 20 shkurt, ndërsa përmirësimi i motit pritet në javën e fundit të muajit, e cila parashikohet pa reshje shiu, bëri me dije meteorologia Ladja Porja për Euronews Albania.

Të fundit