Flash News

E-TJERA

‘Shpërthen’ rrjeti: Rilindja rikthen ‘pionerët e Enverit’, nxënësit në Cërrik shfaqen me shami të kuqe

‘Shpërthen’ rrjeti: Rilindja rikthen ‘pionerët e

Në media kanë qarkulluar fotot nga një shkollë në Cërrik ku nxënësit kanë kremtuar 79-vjetorin e krijimit të Batalionit Partizan të Dumresë.

Nxënësit e shkollës në Cërrik dhe të pranishmit janë shfaqur me shami të kuq në qafë, njësoj si dikur ‘pionerët’ në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës.

Rrjeti ka shpërthyer në reagime nga gazetarë, aktivistë, politikanë të cilët kanë dënuar shfaqjen duke gjykuar se fëmijët po përdoren si propagandë nga ana e përfaqësuesve të institucionit arsimor.

Aulon Kalaja, teksa i krahason me ‘pionerët e Enverit’ shkruan se nxënësit janë veshur nga shkolla dhe qeveria teksa axhendën e aktivitetit e konsideron “reklamë ndaj komunizmit”.

“Vajzat e një shkolle janë veshur si “pionierët e Enverit”. Veshjen ia ka zgjedhur, shkolla, bashkia dhe qeveria. Duket qartë se ka një axhendë për reklamë ndaj komunizmit. Reminishencat e të kaluarës, kjo qeveri kujdeset për t’i rikthyer kudo dhe kurdo, me çdo brez. Kriminale. Mendoj se teksti i historisë duhet rishikuar, që brezat të njihen me krimet e “terrorit të kuq”.

Poshtë komunizmi!”, shkruan Kalaja.

Ermal Hasimja kërkon ‘shporrjen’ nga sistemi arsimor dhe pushteti për glorifikimin dhe indoktrinimin komunist të fëmijëve.

“Këta që nxjerrin fëmijët me simbole komuniste duhen shporrur nga sistemi arsimor dhe pushteti vendor për 2 arsye madhore:

1. Për glorifikimin e komunizmit.

2. Për indoktrinimin komunist të fëmijëve.

Turp shtetit që i toleron!”, shkruan Hasimja.

Paraqitja e nxënësve ka sjellë komente e reagime në opinionin publik. Edhe deputetja e PD, Jonila Godole, ka reaguar ashpër, duke risjellë në vëmendje nismën e saj për dekomunistizimin. Godole shkruan se njerëzit refuzojnë të dëgjojnë faktet, dhe besojnë ende te nostalgjia.

“Çfarë festojnë fëmijët aty? Në shkollë nuk mësojnë asgjë për përndjekjen e qindra mijëra personave, por mësokan si të lidhin shallin e pionierit?!

Shikoni online sa vetë e kanë firmosur deri më tani Peticionin për Dekomunistizim që të kuptoni se shoqëria nuk do që të çlirohet nga e shkuara, nga diktatura dhe simbolet e saj totalitare.

Të firmosësh peticionin qenka turp, kurse të përkujtosh ceremoni të tilla alla Korea e Veriut qenka "cool"...

Politika nuk është fajtore për gjithçka, shumë shqiptarë e mbështetën regjimin komunist për gjysëm shekulli dhe siç duket vazhdojnë ta bëjnë ende sot jo vetëm për nostalgji, por sepse refuzojnë të dëgjojnë dhe mësojnë të vërtetën mbi faktet historike. Dhe nëse brezi i ri, si këta fëmijët në foto, rriten me këtë frymë, nesër do të jenë ushtarët e një regjimi të ri”, shkruan Godole.

Të fundit