Flash News

E-TJERA

Shpërthimi në burgun e Fushë Krujës, hetimet në 2 pista: Mesazh për drejtuesit apo tentativë arratisjeje?

Shpërthimi në burgun e Fushë Krujës, hetimet në 2

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në ambientet e jashtme të Burgut të Fushë Krujës, ku një sasi lënde plasëse ka shpërthyer pranë perimetrit të sigurisë. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, ndërsa shpërthimi nuk ka shkaktuar as dëme materiale. 

Hetimet janë përqendruar në dy pista kryesore. Sipas burimeve, njëra pistë lidhet me mundësinë që shpërthimi të ketë shërbyer si mesazh kërcënues për drejtuesit e burgut. Ndërsa pista e dytë, e cila po trajtohet me seriozitet nga hetuesit, ka të bëjë me një tentativë të mundshme për arratisje, ku shpërthimi mund të jetë përdorur si mjet shpërqendrimi.

Në funksion të kësaj hipoteze, mëngjesin e së enjtes, katër grupe kontrolli kanë zbarkuar në burg dhe po ushtrojnë kontrolle të imtësishme në qelitë ku qëndrojnë të dënuar dhe të paraburgosur, përfshirë emra të njohur të botës së krimit.

Burgu i Fushë Krujës është kategorizuar si institucion i sigurisë së lartë, ku aktualisht ndodhen rreth 350 të dënuar dhe të paraburgosur. Për shkak të profilit të lartë të disa të burgosurve, ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe kontrollin në ambientet e brendshme dhe përreth burgut.

Autoritetet janë në gatishmëri të shtuar, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar autorët dhe motivin e saktë të këtij akti tronditës.

Të fundit