Flash News

E-TJERA

Shpëtoi nga mbytja në Durrës, flet 31-vjeçarja angleze: U përmbysëm në çast, shoku im mbeti poshtë mjetit

Shpëtoi nga mbytja në Durrës, flet 31-vjeçarja angleze: U

Është jashtë rrezikut për jetën 31-vjeçarja me shtetësi angleze, Vera Ruani, e cila përfundoi në ujë pas përmbysjes së një motori uji në afërsi të Shkëmbit të Kavajës. Ngjarja ndodhi të dielën pasdite dhe përfundoi tragjikisht për shokun e saj, 33-vjeçarin Silvester Dheug, i cili humbi jetën nga asfiksia.

Sipas burimeve nga spitali i Durrësit, Vera Ruani u transferua menjëherë nga urgjenca në repartin e patologjisë, ku iu nënshtrua analizave të plota mjekësore, rezonancës magnetike dhe grafisë së mushkërive, të cilat nuk kanë konstatuar probleme. Ajo po mbahet në spital për procedura administrative, përfshirë verifikimin e identitetit dhe të kohëqëndrimit në Shqipëri.

Ndërkohë, në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, 31-vjeçarja ka sqaruar dinamikën e ngjarjes. Sipas saj, ajo dhe shoku i saj kishin marrë me qira një motor uji dhe ishin pajisur me jelekë shpëtimi, por jo me skafandra. Pasi kaluan korridorin e startit dhe ndodheshin rreth 150 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit tentoi një manovër rrethore me shpejtësi, e cila rezultoi fatale.

Mjeti u përmbys dhe të dy ranë në ujë. Vajza përfundoi e shkëputur nga mjeti, ndërsa shoku i saj mbeti poshtë tij, duke u asfiksuar. Në vendngjarje ndodhej një patrullë kufitare që ndërhyri menjëherë për t’u dhënë ndihmë. Pavarësisht përpjekjeve, Silvester Dheug ndërroi jetë pak çaste pasi u transportua me skaf në portin detar të Durrësit, ku ndodhej autoambulanca.

Vera Ruani ndodhet aktualisht në gjendje të stabilizuar dhe nën kujdesin e mjekëve. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik.

Të fundit