Flash News

E-TJERA

Shqipëria borxhlie në Strasburg, fatura ‘e kripur’ e dëmshpërblimeve arrin në 39 milionë euro

Shqipëria borxhlie në Strasburg, fatura ‘e kripur’ e

Shqipëria vijon të mbetet një nga shtetet me detyrime të larta financiare ndaj Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg. Sipas një analize të Open Data Albania, për periudhën 2015–2024, shteti shqiptar është dënuar të paguajë rreth 39.3 milionë euro (3.8 miliardë lekë) në formë dëmshpërblimesh për shkelje të të drejtave të njeriut.

Shqipëria borxhlie në Strasburg, fatura ‘e kripur’ e

Këto detyrime rrjedhin nga 103 vendime ku Gjykata ka konstatuar përgjegjësi shtetërore, duke vërtetuar shkelje të tilla si mungesa e një procesi të rregullt gjyqësor dhe cenimi i të drejtës për pronë. Megjithatë, pavarësisht vendimeve, një pjesë e konsiderueshme e faturës ndaj Strasburgut vijon të mos jetë shlyer.

Sipas raportit të buxhetit faktik 2024, rreth 18 milionë euro nga këto detyrime mbeten ende të papaguara, duke përbërë një barrë të ndjeshme për financat publike dhe një tregues të vonesave të zbatimit të vendimeve nga autoritetet shqiptare.

Viti 2016 rezulton më i rënduari financiarisht, me 18.2 milionë euro dëmshpërblime të urdhëruara, ndërsa 2018 renditet i dyti me 13.5 milionë euro. Në anën tjetër, 2024 shënon numrin më të madh të vendimeve me detyrim kompensim – plot 26 raste.

Shqipëria borxhlie në Strasburg, fatura ‘e kripur’ e

Çështjet që kanë ngarkuar më shumë buxhetin shqiptar janë:

“Sharxhi dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, me një detyrim prej 13.4 milionë euro, për prishjen e kompleksit “Rezidenca Jon” në Vlorë. Ky detyrim, sipas raportit të mesvitit 2025, vijon të mbetet i papaguar.

“Rista dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, me 10.7 milionë euro, që lidhet me moszbatimin e vendimeve për kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë komunizmit. Nga kjo shumë, 4.4 milionë euro ende nuk janë shlyer.

“Karagjozi dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, me një dëmshpërblim prej 5.9 milionë euro për vonesa shumëvjeçare në ekzekutimin e vendimeve për kompensim pronësor.

Vetëm këto tre çështje përbëjnë rreth 76% të totalit të detyrimeve financiare të njohura për periudhën 2015–2024.

Në total, në 62 raste Gjykata ka konstatuar shkelje të drejtpërdrejta të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa 25 çështje janë mbyllur me marrëveshje miqësore ose me deklarata të njëanshme nga qeveria shqiptare.

Të fundit