Flash News

E-TJERA

Shqipëria dorëzon në KE rezolutën kundër raportit të Dick Martyt, çfarë kërkohet

Shqipëria dorëzon në KE rezolutën kundër raportit

Shqipëria ka dorëzuar në Këshillin e Evropës rezolutën kundër raportit të Dick Martyt, të cilën e miratoi në Kuvend më 21 korrik, me 125 vota pro.

Përmes kësaj resolute, Shqipëria synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, të cilat burojnë nga raporti i Martyt.

Rezoluta i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të realizojë një raport vijues dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës së Këshillit të Evropës, duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse edhe për sa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.

Raporti i vitit 2010, i hartuar nga Dick Marty dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.

Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

Kjo, në vitin 2015, ka çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

 

 

Të fundit