Flash News

E-TJERA

Shqipëria me konsumin më të ulët të energjisë në rajon, shkak keqmenaxhimi dhe mungesa e investimeve

Shqipëria me konsumin më të ulët të energjisë

Konsumi në total i energjisë elektrike në Shqipëri, përfshirë konsumatorët familjarë dhe konsumatorët biznes, ka pësuar një rritje ndër vite.

Një raport i Open Data, për konsumin e energjisë për periudhën 2017-2021 tregon se në vitin 2021, konsumi total i energjisë elektrike është 8 414 836 MWh (megavat orë) duke shënuar një rritje me 10.9% krahasuar me vitin paraardhës 2020. Kjo rritje e konsumit të energjisë elektrike vihet re sidomos nga konsumatorët biznese  me rreth 18.2%  megavat për orë, më shumë krahasuar me vitin 2020.

Viti 2020 shënoi ulje konsumi nga bizneset për shkak të uljes së aktivitetit prodhues e industrial gjatë  periudhës së pandemisë Covid-19. Gjithashtu po gjatë 2021 ka rritje edhe të humbjeve të energjisë elektrike në shpërndarje dhe në transmetim, rritje vjetore prej 9.5% më shumë në sasi krahasuar me vitin 2020.

Sa i përket nivelit të prodhimit të energjisë elektrike, gjatë vitit 2021 janë prodhuar 8 962 700 MWh energji elektrike, 68.7% prodhim më shumë krahasuar me 2020, sasia dhe rritja më e madhe ndër vite.

Kjo situatë reflektohet edhe në sasinë e importit dhe eksportit të energjisë elektrike gjatë këtij viti, ku vihet re rritje e eksportit të energjisë më shumë se importi. Konkretisht për vitin 2021  janë eksportuar 2 800 443 MWh rreth 191% më shumë se viti 2020. Ndërsa sa i përket importeve, gjatë këtij viti janë importuar 2 252 548 MWh apo rreth 30% më pak se viti paraardhës.

Shkëmbimi ose bilanci në sasi i energjisë elektrike është pozitiv për vitin 2021, me një sasi të eksportuar tepër prej 547,895 MWh.

Sipas kategorive, konsumi total i energjisë përfshin përdorimin nga konsumatorët familjarë, nga konsumatorët biznese si dhe humbjet totale në rrjet. Për vitin 2021, janë konsumuar 3 081 617 MWh nga konsumatorë familjarë me një rënie prej 4.2% krahasuar me vitin e mëparshëm, ndërsa konsumatorët biznese kanë konsumuar 3,548,348 MWh apo 18.2% më shumë krahasuar me vitin 2020.

Nga të dhënat evidentohet një rritje me 9.5% e humbjeve në shpërndarje dhe transmetim në rrjet të energjisë elektrike krahasuar me vitin e mëparshëm, gjë që tregon problematikën ndër vite të menaxhimit të sistemit të transmetimit dhe investimeve të munguara në këtë drejtim.

Krahasuar me Rajonin, Shqipëria është vendi me konsumin më të ulët për frymë të energjisë elektrike, vlerësuar për vitin 2020 me rreth 2.67 MWh. Ndërkohë Serbia është vendi me konsumin më të lartë për frymë të energjisë elektrike  me rreth 5.38 MWh. Ndërkohë vende të tjera renditen Kosova (4.76 MWh për frymë), Mali Zi (4.6 MWh për frymë) dhe Maqedonia e Veriut me 3.69 MWh për frymë.

 

Të fundit