Flash News

E-TJERA

Shqipëria merr sërish pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino

Shqipëria merr sërish pjesë në Panairin

Letërsia shqipe është e pranishme edhe këtë vit me një stendë të posaçme, në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino. Edicioni i 33-të i panairit ka nisur në datën 14 dhe mbyllet sot.

I vizituar çdo vit nga qindra mijëra vizitorë nga e gjithë Italia, Panairi Ndërkombëtar i Torinos është ngjarja më e madhe e më e rëndësishme letrare e vendit fqinj.

Stenda e Shqipërisë, e organizuar dhe menaxhuar për të tetin vit rradhazi nga Qendra e Kulturës Shqiptare ka ofruar më shumë se 200 tituj, të mbi 80 autorëve bashkëkohorë shqiptarë, të botuar nga 31 shtëpi të ndryshme botuese. 

Krahas veprave kryesore të Kadaresë, që po ribotohen gradualisht në gjuhën italiane, mjaft të vlerësuara e të kërkuara nga vizitorët janë edhe librat e autorëve të tjerë bashkëkohorë si Ylljet Aliçka, Fatos Kongoli apo Arben Dedja, veprat e të cilëve janë të disponueshme edhe në italisht.

Një vend krejt të veçantë në vëmendjen e publikut vijojnë të kenë, vit pas viti, edhe autoret e mirënjohura shqiptare Anilda Ibrahimi, Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi, të cilat e kanë arritur suksesin me vepra të shkruara drejtëpërdrejtë në gjuhën e shtetit fqinj.

Një tjetër prirje mjaft pozitive mes vizitorëve të panairit është interesimi në rritje i udhëtarëve nga Italia për Shqipërinë. Kjo ka sjellë edhe shtimin e konsiderueshëm të kërkesës për udhërrëfyesit turistikë “Albania & Kosovo” dhe “Tirana & Albania”.

Gjatë ditëve të para panairit, krahas një numri të lartë intelektualësh, studjuesish dhe gazetarësh të mediave të mëdha kombëtare, stenda e Shqipërisë është vizituar, ndër të tjera edhe nga guvernatori i Rajonit të Piemontit Alberto Cirio, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Torinos, Dario Gallina dhe kandidati për Kryetar Bashkie i Torinos, Stefano Lo Russo.      

 

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit