Flash News
Shqiptari fiton të drejtën për të qëndruar në Britani, pavarësisht akuzave për vrasje
Fatmir Bleta, një 64-vjeçar i kërkuar në Shqipëri për vrasje, ka fituar të drejtën për të qëndruar në Britaninë e Madhe, duke përdorur dispozitat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pas një arratisjeje nga Shqipëria, ku u dënua në mungesë me 13 vite burg për vrasjen e një burri me armë zjarri, Bleta arriti t’i rezistojë përpjekjeve për ekstradim, duke argumentuar se kthimi i tij në Shqipëri do të shkelte të drejtat e tij për një gjykim të drejtë, të garantuara nga neni 6 i KEDNJ.
Bleta shkoi në Britani në vitin 1998, duke u paraqitur fillimisht si kosovar. Për këtë mashtrim u burgos në vitin 2018 për më shumë se 33 muaj. Më pas, ai luftoi për të ndaluar dëbimin e tij në Shqipëri, duke pretenduar se nuk i ishte njoftuar procesi gjyqësor dhe nuk do të kishte mundësinë për një rigjykim të drejtë. Gjithashtu, ai argumentoi se dëbimi do të shkelte të drejtat e tij familjare sipas nenit 8 të KEDNJ-së, pasi ai ka katër fëmijë dhe dëbimi i tij do të kishte pasoja të rënda për familjen.
Në dokumentet e siguruara nga “The Telegraph”, tregohet se dy nga fëmijët e Bletës janë dënuar dhe burgosur në Britani për trafik droge, përfshirë djalin e tij, Dorian, i cili po vuan një dënim prej 18 vitesh për trafik kokaine.
Gjykatat britanike kanë pranuar pretendimet e Bletës, duke argumentuar se nuk kishte prova të mjaftueshme që ai ishte informuar për datën e gjyqit dhe se kthimi i tij në Shqipëri do të përbënte një shkelje flagrante të të drejtave të tij për një proces të drejtë.