Flash News

E-TJERA

Shqiptari në Greqi ekzekutohet nga “miku”, gruaja dëgjon gjithçka në telefon

Shqiptari në Greqi ekzekutohet nga “miku”, gruaja dëgjon

Një ngjarje tronditëse është regjistruar në zonën e Artemidës, pranë Athinës, ku një shtetas shqiptar 41-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri. Viktima, i cili ndodhej ende i gjallë pas atentatit, ka arritur të telefonojë gruan e tij në çastet e fundit të jetës, duke i thënë se ishte qëlluar nga një mik i tij.

Sipas raportimeve nga mediat greke, bashkëshortja e tij, e alarmuar nga telefonata dramatike, ka përdorur aplikacionin Find My iPhone për të gjetur vendndodhjen e burrit të saj. Ajo ka kontaktuar menjëherë me Policinë greke, e cila ka mobilizuar njësi të forcës DIAS dhe ka shkuar së bashku me të në zonën e sinjalizuar.

Në kryqëzimin e rrugëve Arionos dhe Anemoessas në Artemidë, policia gjeti telefonin e viktimës të mbuluar me gjak, por trupi i tij nuk ndodhej aty. Pas disa minutash kërkimesh, efektivët gjetën trupin e pajetë të shqiptarit disa metra larg nga vendi ku ishte lokalizuar celulari.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për identifikimin e autorit, i cili sipas dëshmisë së fundit të viktimës ishte një person që ai e konsideronte mik. Ende nuk janë bërë publike identiteti i plotë i viktimës apo motivet e mundshme të vrasjes.

Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi dhe ka sjellë në vëmendje edhe njëherë rreziqet që lidhen me krimet mes personash të afërt, që shpesh mbeten të pazbardhura për vite me radhë.

Policia greke është në ndjekje të autorit dhe pritet një deklaratë zyrtare në orët në vijim.

Të fundit