Flash News

E-TJERA

“Shtëpia që u kthye në varr”, si u shua tragjikisht familja shqiptare në Itali (Detajet)

“Shtëpia që u kthye në varr”, si u shua tragjikisht

Një tragjedi e rëndë ka tronditur mbrëmjen e kaluar qytetin e Lucca-s, në Itali, ku katër anëtarë të një familjeje shqiptare u gjetën pa shenja jete brenda banesës së tyre. 

Viktimat janë Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida Kola, 42 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar Kola, 23 vjeç dhe Xhesika Kola, 15 vjeçe.

Dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë rrjedhja e gazit nga sistemi i ngrohjes, duke sjellë asfiksimin fatal të gjithë familjarëve.

Sipas mediave italiane, ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e mbrëmjes, në një moment kur familja kishte shtruar darkën. Në rrethana që ende po hetohen, një sasi gazi mendohet se ka rrjedhur nga kaldaja e ngrohjes, duke mbushur ambientet e banesës dhe duke mos u lënë asnjë mundësi shpëtimi familjarëve.

Alarmi u dha nga vëllai i kryefamiljarit, i cili, pasi nuk arriti të komunikonte me ta, njoftoi menjëherë karabinierët. Sapo mbërritën pranë banesës trekatëshe, ata trokitën disa herë në derë, por pa marrë përgjigje.

Si pasojë e ekspozimit ndaj gazit dhe tronditjes së fortë emocionale, edhe xhaxhai i dy fëmijëve humbi ndjenjat në vendngjarje. Ai u transportua me urgjencë në spitalin e Cisanello-s, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

“Shtëpia që u kthye në varr”, si u shua tragjikisht

Kush ishin viktimat

Arti Kola punonte si punëtor në një fabrikë lokale, ndërsa bashkëshortja e tij Jonida ishte shtëpiake. Djali i tyre, Hajdari, ishte i punësuar si elektricist në një kompani të zonës, ndërsa Xhesika, vajza e familjes, ishte nxënëse.

Banesa ku ndodhi tragjedia ishte në pronësi të Artit, i cili, sipas dëshmive, e kishte blerë rreth tre vite më parë. Familja kishte nisur të jetonte aty vetëm kohët e fundit, ndërsa shtëpia ishte restauruar pjesërisht nga vetë ai, me ndihmën e disa miqve.

Hetimet dhe dyshimet

Autoritetet italiane kanë bërë me dije se një ngjarje e ngjashme ishte regjistruar edhe më herët në zonë, ku katër anëtarë të një tjetër familjeje kishin humbur jetën për shkak të rrjedhjes së gazit.

Prokuroria italiane ka urdhëruar sekuestrimin e banesës, ndërsa hetimet vijojnë. Karabinierët, në bashkëpunim me zjarrfikësit, do të analizojnë nëse kaldaja ishte e regjistruar, nëse ishte instaluar sipas rregullave teknike dhe nëse i ishte nënshtruar kontrolleve periodike të detyrueshme.

 

Të fundit