Flash News
Gjykojeni protestën nga kundërshtarët
Aksident në Greqi, ndërron jetë 16-vjeçari shqiptar
Protesta trazon PS-në/ Zegjineja e ‘meme-ve’ sulmon influenceren: Shëmtirë, diote. Balla kapet me Reuters
Vrasja në Paskuqan/ Autori është gjurmuar deri në Bovillë, ka braktisur mjetin
Publikoi tezën e Letërsisë 20 minuta pas nisjes së provimit, përjashtohet maturanti në Kukës
Shteti nën shërbimin e “agjentit” të Gilmando Danit, kronologjia e atentatit të Rinasit

11 nëntor 2025. Ora 14:25. Një “Mercedes” luksoz del nga parkingu i Aeroportit të Rinasit. Brenda tij janë dy burra, që sapo kanë prekur tokën shqiptare pas një fluturimi direkt nga Barcelona. Në ndenjësen e parë të pasagjerit Gilmando Dani, krahu i djathtë dhe njeriu më i besuar i Emiliano Shullazit, një emër që peshon rëndë në dosjet e krimit të organizuar.
Në timon, 42-vjeçari Muçi Shaljani (Sheqeri), një njeri pa precedentë penalë. Udhëtimi i tyre do të ndalej pas vetëm pak metrash. Pranë rrethrrotullimit në krah të aeroportit, në një zonë të blinduar nga kamerat e sigurisë dhe sytë e kalimtarëve të dy u gjendën ballë një toge pushkatimi. Tre persona të maskuar derdhin pa mëshirë breshëri automatiku drejt tyre. E gjitha në mes të ditës. Në mes të rrugës. Aty ku siguria duhet të ishte kryefjalë.
Bilanci është tragjik. Gilmando Dani vdes në vend. Muçi Shaljani plagoset rëndë dhe ndërron jetë pak ditë më vonë. Veç këtij bilanci, një tjetër fakt tronditi grupin hetimor në vendin e ngjarjes. Në automjetin e viktimave, në sendet personale të Shalianit u gjet një kartë identifikuese si ato të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, me numër ID AMP 054. Dokumenti mbante emrin e tij dhe ishte origjinal. Personi që shoqëronte Gilmando Danin në Barcelonë e gjetkë ishte agjent i AMP, një institucion kyç në strukturën e sigurisë së shtetit.
Në këtë episod të NEWSROOM, do të udhëtojmë në dritëhijet e një skandali që ka prekur shtyllat e një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në vend, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Si mundi Muçi Shaljani të bëhej pjesë e AMP? Pse zyrtarë të lartë institucionit janë angazhuar për emrin e tij, 3 muaj përpara se ai vetë të aplikonte për këtë vend pune! Pse nuk iu nënshtrua konkurrimit? Si u emërua me emergjencë me një kontratë të përkohshme, kur institucioni nuk kishte asfare emergjencë? Cilat ishin “porositë më SMS” për punësimin e tij dhe pse dokumente të Shaljanit qarkullonin mes Whats-app-eve të zyrtarëve të AMP?
Do hedhim dritë në të gjitha këto hije, bazuar në hetimin e drejtuar nga prokurori i Tiranës, Bledar Valiaj, që në ditët e fundit të marsit ngarkoi me përgjegjësinë penale të “shpërdorimit të detyrës” për këtë çështje ish-kreun e komanduar të AMP, Artiol Saliasi dhe drejtorin e Financës, Gëzim Sala.
KONTRATË PA APLIKIM
Dosja hetimore zbulon një kronologji të pazakontë. Muçi Shaljani u pranua në radhët e AMP më 15 shtator 2025. Urdhri për emërimin mban firmën e drejtorit të komanduar të kohës, Artiol Saliasi.
Në pikën 1 të urdhrit saktësohej se aplikanti Muçi Shaljani pranohej në AMP me kontatë për përkohshme dhe për nevoja emergjente. Detyra e tij do të ishte ajo e Ndihmës specialistit në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të AMP-së.
“Në bazë të këtij urdhëri është lidhur kontrata e punës e përkohshme tre mujore me nr. 3568 Prot., datë 15.09.2025 e cila është e nënshkruar nga konceptuesja Elda Uku, Specialist i Burimeve Njerëzore, miratuesi Drejtori i Financës, Gëzim Sala, Drejtori i Përgjithshëm i AMP i autorizuar në rubrikën punëdhënësi, Artjol Saliasi. Në rubrikën punëmarrësi është shënuar me kompjuter Muçi Shaljani dhe është vendosur një nënshkrim i cili me sy të lirë ndryshon nga nënshkrimi në kërkesën e paraqitur dhe formulari i aplikimit. Në vijim, shtetasi Muçi Enver Shaljani, me funksion ‘Specialist’ pranë AMP është pajisur me kartën përkatëse me nr. ID AMP 054”, thuhet në dosjen hetimore.
Por e vërteta nis shumë më herët. Hetimi ka konstatuar se që në muajin qershor 2025, pra 3 muaj para punësimit të Shaljanit, Gëzim Sala, drejtor i Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse i ishte drejtuar me shkresë Komisariatit nr. 3 në Tiranë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror për vërtetimin e besueshmërisë së Shalianit. Sala është shprehur se kishte qenë kërkesë e ish-drejtorit të AMP, Florian Sulejmani.
Vetë i ndjeri Shaliani rezulton se ka bërë kërkesë me shkrim për t’u përfshirë në AMP më 9 shtator 2025. Ndërsa formularin e aplikimit për pranim në AMP ai e ka nënshkruar gati një javë më vonë, më 16 shtator, pra një ditë pasi ishte pranuar në detyrë. Por kujdes, mos harroni që Prokuroria e Tiranës ka konstatuar se nënshkrimi i Shaljanit në formularin e aplikimit dhe në kërkesën është i ndryshëm, fakt që konstatohet me sy të lirë.
REKRUTIMI I SHALJANIT
“…Nga ish titullari i Agjencisë, i autorizuar në detyrë, z. Artiol Saliasi, jam thirrur në zyrën e tij dhe më ka dhënë për të administruar një praktikë dokumentare në të cilën ishte kërkesa për të filluar punë në AMP e shtetasit Muçi Shaljani. Bashkëlidhur kërkesës ishte dhe dokumentacioni tjetër që përbëhej nga vërtetime të ndryshme nga institucionet. Kjo praktikë dokumentare ishte e protokolluar”.
Por ajo që ngre hije të forta dyshimi, ka qenë diskutimi që shefit të financës pretendon të ketë bërë me drejtorin e komanduar të AMP, Saliasi.
Nga dosja hetimore: “Kur mora praktikën nga titullari i autorizuar z. Artiol Saliasi, konstatova se në dokumente mungonte diploma. Në këto kushte i thashë z. Artiol Saliasi që mungonte diploma si dhe e pyeta ‘Ça do të bëhet me këtë shtetas?’. Artioli mu përgjigj që ‘Do ta marrim përkohësisht për tre muaj sepse e kemi emergjente. E quajmë si periudhë trajnimi dhe më pas bëjmë shpalljen vakant dhe e fusim me konkurrim, meqë plotëson kriteret”. Unë i kam thënë që kjo nuk është procedurë ligjore por ai më tha që do ta marrim do ta fusim në konkurrim dhe do ta bëjmë të ligjshme”.
Për mungesën e diplomës në dosjen me dokumente të Shaljanit, Sala, ka pretenduar se titullari i komanduar, Saliasi, e ka drejtuar për tek një tjetër zyrtar i institucionit, tek drejtori i Inspektimit, Gerald Shahu, nga ana e tij, njohje e Muçi Shaljanit. Sipas Salës, situata u zgjidh me një foto.
Nga dosja hetimore: “Kur fola me Geraldin, ai më dërgoi foton e diplomës dhe unë i kam thënë që të lidhej me specialisten Elda Uku. Ata janë lidhur dhe kanë administruar dokumentacionin. Në vijim janë hartuar Urdhri Nr. 675 datë 15.09.2025 ‘Për pranimin e përkohshëm në detyrë të një aplikanti në AMP” dhe “Kontratë pune e përkohshme tre mujore” Nr 3568 datë 15.09.2025. Këto dokumente u përpiluan pasi u krijua bindja mbi bazën e shkresave përkatëse nga Policia dhe SHISH”
Në shpjegimet e dhënë para prokurorëve, Gëzim Sala, ka këmbëngulur se procedura e punësimit të Muçi Shaljanit, ka qenë e rregullt, sipas Kodit të Punës. Specialistja e burimeve njerëzore në AMP, Elda Uku, funksionarja që konceptoi urdhrin dhe kontratën e ka pretenduar si lapsus njerëzor, faktin që ka harruar të citojë dispozitën e rregullores që përcakton “pranimin dhe emërimin në detyrë”. Ndërkohë ajo ka konfirmuar se Shaljani nuk i është nënshtruar asnjë konkurrimi për t’u bërë pjesë e AMP.
Nga dosja hetimore: “Ky aplikant (Shaljani) nuk i është nënshtruar konkurrimit. Rrethanat në të cilat është pranuar është emergjenca për vendin vakant të atij sektori. Vlerësimin se ishte rast emergjent mua ma ka thënë drejtor Gëzimi. Unë jam specialiste dhe politikat e kuadrit i bëjnë eprorët e mi me të cilët në këtë rast u konsultuam. Pra këtë Urdhër unë nuk e kam bërë nga vetja por vetëm pas konsultës me Drejtorin tim, i cili pasi e kontrolloi konceptimin dhe e ka miratuar me nënshkrimin përkatës”.
Por sikur të mos mjaftonte mungesa e konkurrimit, sipas ligjit, sipas hetimit, Shaljani ka firmosur kontratën e punësimit në AMP, ende pa aplikuar për punën. Ky dokument, sipas zyrtarëve të AMP është shtuar më pas në dosje.
Nga dosja hetimore: “Kontratë pune e përkohshme 3-mujore” nr. 3568 datë 15.09.2025, është përpiluar nga ana ime dhe shtetasi Muçi Shaljani e ka nënshkruar në praninë time në çdo faqe të kontratës. I pranishëm aty ishte dhe kolegu Gerald Shahu. Në praktikën dokumentare që kishte sjellë shtetasi Muçi Shaljani, mungonte ky formular pra ‘Formularin e aplikimit për pranimin në AMP”. Në këto kushte unë i kam thënë kolegut Gerald Shahut që të lajmëronte shtetasin Muçi Shaliani që të sillte formularin e plotësuar. Unëi thashë Geri Shahut në këtë rast sepse Geraldi ka qenë prezent dhe e ka shoqëruar te zyra ime kur ky shtetas ka nënshkruar kontratën që folëm më lart. Geraldi e ka lajmëruar. Muçi Shaljani ka ardhur dhe ka sjellë formularin e plotësuar. Nuk e mbaj mend ishin të dy me Geraldin apo vetëm aplikanti.
KUSH E KISHTE ME EMERGJENCË?!
Si të ishte një patate e nxehtë në duart e tyre procedura e ndjekur për Shaljanin, në deklarimet në prokurori zyrtarët e AMP kanë qëndruar në llogoret përkatëse, duke përdorur si karta mbrojtëse zbatimin e procedurave ligjore, kompetencave dhe burokracive institucionale. Por ajo që mbetet zbuluar dhe pa një argument bindës e të logjikshëm justifikues është motivimi si emergjent i punësimit të Shaljanit. Ngrehina prej rëre e një situate emergjente në AMP është shembur mes dëshmisë së shefit të Sektorit të Forcës Operacionale.
Nga dosja hetimore: “Është pyetur shtetasi Arben Hysenukaj, me detyrë shef sektori të FPO në AMP, i cili ka treguar se nuk e ka njohur asnjëherë shtetasin Shaljani personalisht, nuk ka paraqitur asnjëherë kërkesë me shkrim apo verbal të eprorëve të tij për punësime emergjente, pasi në sektorin që ai drejtonte nuk ka pasur nevoja emergjente. Nuk ka pasur kurrë dijeni nëse shtetasi Muçi Shaljani udhëtonte jashtë shtetit”.
BALLAFAQIMI NË PROKURORI
Prokurori Valikaj ka konstatuar kundërthënie mes deklaratave të Gëzim Salës dhe Artiol Saliasit. Për këtë arsye dy zyrtarët janë vënë përballë njëri tjetrit në prokurori. Edhe pse e pasqyruar në një procesverbal shkresor, tensioni është lehtësisht i perceptueshëm.
Nga dosja hetimore: “Gjatë ballafaqimit deklarojnë të dy se i qëndrojnë deklarimeve të motivit për nevoja emergjente. Gëzim Sala pyet Artjol Saliasin “A ma ke kërkuar ti?”. Artjol Saliasi i përgjigjet “motivin e punësimit për nevoja emergjente nuk ja kam sugjeruar as kërkuar unë Gëzim Salës”. Gëzim Sala pyet Artjol Sailiasin “nëse urdhri i emërimit dhe kontrata e punës nuk do të ishin nënshkruar nga ana juaj a do të merrte formë ligjore akti?”. Shtetasi Artjol Saliasi i përgjigjet shtetasit Gëzim Salës: “…nëse nuk do të më kishin ardhur akte të përpiluara për punësimin e Muçi Shaljanit unë nuk do të kisha firmosur asnjë akt”. Në përfundim, të dy i qëndrojnë plotësisht deklarimeve të mëparshme”.
ID E SHALIJANIT TEK ISH-DREJTORI I AMP
Investigimi penal i çështjes ka ekspozuar faktin se angazhimi i titullarëve të AMP për Muçi Shaljanin nuk kufizohet vetëm tek Artiol Saliasi. I pari që rezulton të jetë përfshirë në procesin e rekrutimit të Shaljanit në AMP është pararendësi i Saliasit në krye të institucionit, Florian Sulejmani. Ky i fundit ka urdhëruar vartësit e tij të kryejnë veprime, në një kohë që zyrtarisht, Muçi Shaljani nuk kishte shfaqur asnjë interes për të qenë në AMP.
Drejtori i Financës, Sala, ka rrëfyer në prokurori se Florian Sulejmani i kishte kërkuar në muajin qershor 2025 të bënte kërkesë për Vërtetim Besueshmërie në Polici dhe në SHISH për Muçi Shalianin. Sipas Salës, Sulejmani i kishte përcjellë në aplikacionin WhatsApp gjeneralitetet dhe foton e kartës së identitetit të Muçi Shalianit. Prokuroria thekson në aktet e saj se deklarimi i Salës për fillimin e komunikimit me ish-kreun e AMP, Florian Sulejmani, gjenden të dokumentuara nga këqyrja e telefonit celular të të dyshuarit Gëzim Sala. Kjo korrespondencë në WhatsApp mes titullarit të kohës dhe vartësit ka zgjuar interes për hetuesit, që i kanë marrë deklarime edhe Sulejmanit, person që ka mbajtur detyrën e kreut të AMP nga nëntori 2023 deri në korrik 2025.
Nga dosja hetimore: “(Florian Sulejmani) Nuk kujton të ketë pasur komunikim me shtetasin Gëzim Sala në lidhje me punësimin e Muçi Shaljanit pasi nuk ka material të ruajtur në telefon, por ka pasur komunikime të vazhdueshëm me zotin Sala për shkak të natyrës së marrëdhënieve të punës. Pasi ju vu në dispozicion këqyrja e komunikimeve të tij me shtetasin Gëzim Sala në lidhje me kartën e identitetit dhe numrin e telefonit të dërguara prej tij sqaron se u njoh me kryerjen dhe është komunikim i tij i natyrës administrative. Rast si gjithë të tjerët, pasi bazuar në kërkesat e shtetasit për punësim ka kërkuar të verifikohet pastërtia e figurës, veprime që duhen plotësuar për çdo individ, që duhet të punësohen. Nuk kujton të ketë pasur ndonjë kërkesë me shkrim. Nuk i kujtohet rasti i Muçi Shaljanit, por në këtë rast drejtori Gëzim Sala vepron në bazë të kërkesave, kjo provohet edhe nga komunikimet më tej, ku nga ana e Gëzimit nuk i është referuar mungesa e një kërkese”.
Prokuroria e Tiranës nënvizon në aktet e saj se Florian Sulejmani në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të AMP në këtë kohë nuk ka firmosur asnjë urdhër emërimi në detyrë për shtetasin Muçi Shaljani. Vetë shefi i Financës, ka pranuar përgjegjësi vetëm për anën formale të kontratës së punësimit të tij dhe jo përmbajtën e saj.
Nga dosja hetimore: “Shpjegoj se nënshkrimi im ka të bëjë me miratimin formal të kontratës dhe jo në përmbajtje. Procedura ligjore fillon me shpalljen e vendeve vakante, publikimi në faqen zyrtare me urdhër të titullarit, priten afatet e aplikimit, urdhër për tre Komisione, pranim, testim dhe apelim, dhe pasi përfundojnë dy komisionet e para dhe nxjerrin rezultatet, priten afatet e ankimimit për çdo rast. Në vijim, për fitues Komisioni i pranimit kryen verifikimet përfundimtare të cilat nënkuptojnë korrespondencën me institucionet ligjzbatuese. Pasi përfundon kjo fazë, mbi bazën e relacionit të komisionit që pasqyron rezultatet, titullari urdhëron vijimin e procedurave për emërimin në detyrë”.
PUNËSIM PA KONKURS
Nga sa dëgjuat është e qartë si drita e diellit, që i ndjeri Muçi Shaliani nuk ka kaluar asnjë nga këto hallka. Ndonëse hetimi i deritanishëm nuk ka provuar ndonjë element të korrupsionit, apo të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm për ndonjë nga funksionarët e AMP, rekrutimi i Shaljanit pa konkurim radhët e agjentëve të Forcës Operacionale mbetet fakt.
Nga ana tjetër Muçi Shaljani, i emëruar zyrtarisht si ndihmës specialist në Forcën e Posaçme Operacionale të AMP nuk u shfaq thuajse kurrë në zyrë për të luftuar krimin brenda strukturave të Policisë së Shtetit. Referuar kontratës, paga e tij mujore si funksionar i AMP ka nisur në 16 shtator 2025, por ai nuk ka shkelur në AMP pas kësaj date.
Nga dosja hetimore: “Janë këqyrur dhe marrë “Libri i hyrjes-daljes për qytetarët në institucion” i sekretuar me nr. 3447 prot., datë 09.09.2025 në të cilin rezulton se: shtetasi Muçi Shaljani ka hyrë në godinën e Drejtorisë së Përgjithshme të AMP, në 6 raste. Është pritur e shoqëruar nga punonjësi AMP Gerald Shahu, dhe në një rast ka shkuar te punonjës i AMP A.Bashari”.
Përkundrazi, ai duket se ka përdorur lirinë e tij të re për të udhëtuar jashtë shtetit.
Nga dosja hetimore: “Pas punësimit, shtetasi Muçi Shaljani ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë disa herë në datat 22.09.2025, 19.10.2025, 26.10.2025, 07.11.2025 ku ka qëndruar disa ditë. Në daljen e tij të fundit, në datën 07.11.2025 ku ka udhëtuar me WizzAir Barcelona. Rezulton në të njëjtën datë, në të njëjtën orë, me të njëjtin fluturim edhe shtetasi Gilmando DANI (i njohur për përfshirjen e tij në kriminalitet)”.
Me kërkesë të prokurorit Bledar Valikaj, Gjykata e Tiranës pezulloi nga detyra Gëzim Salën, si edhe i ndaloi daljen jashtë vendit, masa që u shfuqizuan më pas në Apel. Në sallën e gjyqit, prokurori ka bërë evident para gjykatës, kostot e një emërimi të pamerituar në AMP.
“Ndodhemi përballë një fakti të rëndë ku kanë ndërruar jetë 2 persona. Është punësuar një person në sektorin e operacionales në mënyrë të parregullt që nuk ka shkuar asnjë ditë në punë. I punësuari në atë pozicion mund të kalojë me makinë kudo pa u ndaluar nga policia.
Është e vërtetë që personi nën hetim e ka dorëzuar vetë telefonin e tij. Pozicioni i tij i punë se bën të rrezikshëm për hetimet. Për këtë arsye kërkuam dhe ato masa sigurimi. Praktika e punësimit është përpiluar nga personi nën hetim. Nuk ka asgjë të shkruar ku të thuhet se ai ka shprehur kundërshtim për punësimin e personit. Kërkoj vazhdimin e zbatimit të masave të sigurimit caktuar nga gjykata”.
Nga pretendimet në gjyq të prokurorit Valikaj
Hetimi për gjetjen e autorëve ende të paidentifikuar të ekzekutimit të Gilmando Danit e Muçi Shaljanit është në duar e SPAK. Paralelisht, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur dy zyrtarët Artiol Saliasi dhe Gëzim Sala mbi mënyrën e rekrutimit të Shaljanit.
Por pyetjet e njollave të errëta në këtë situatë, ende nuk i kanë të gjitha përgjigjet. Për kë punonte me të vërtetë i ndjeri Muçi Shaljani, për shtetin që e bëri pjesë të një prej institucioneve më të rëndësishme të tij, apo për anëtarë të botës së krimit, me të cilët ndau fluturimin e fundit.
Zyrtarët e vënë nën akuzë prezumohen të pafajshëm derisa për ta nuk ka një vendim fajësie të formës së prerë. Fati i ecurisë së procedimit penal ndaj tyre ende nuk dihet.
Ajo që mund të themi me siguri, është se ky rast është një dëshmi e dhimbshme se si anashkalimi i procedurave ligjore dhe “emergjencat” e rreme, janë të mjaftueshme për të dëmtuar rrënjësisht integritetin dhe besueshmërinë e institucioneve më të larta të sigurisë në vend. /A2 CNN
Të fundit
"Rama jepe dorëheqjen!”, mijëra protestues vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës
9 Qershor 2026, 22:30
Pas tri orësh para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin nëpër rrugët e Tiranës
9 Qershor 2026, 20:53
Aktori i njohur nga protesta: Ika nga Shqipëria sepse nuk doja të shisja shpirtin
9 Qershor 2026, 20:32
“Vetëm hëna të ka ngel pa vjedh”, mesazhe të forta ndaj qeverisë me pankartat pikante
9 Qershor 2026, 20:12
Meçollari akuza nga protesta: Në Palasë dhe Dhërmi është tjetërsuar mjedisi
9 Qershor 2026, 19:38
Reuters: Brukseli kritikon Tiranën për Zvërnecin, mjedisi kusht për anëtarësimin në BE
9 Qershor 2026, 19:19
Gjykojeni protestën nga kundërshtarët
9 Qershor 2026, 18:20
Pas katër seancash, Ilir Beqaj përmbyll kërkesat paraprake
9 Qershor 2026, 18:11
OKB mesazh për Iranin, Libanin dhe Gazën: Respektoni armëpushimet
9 Qershor 2026, 17:06
10 ditë që tronditën “sistemin”
9 Qershor 2026, 16:53
Operacion anti-drogë në pesë qytete të Kosovës, 5 të arrestuar
9 Qershor 2026, 16:44
Aksident në Greqi, ndërron jetë 16-vjeçari shqiptar
9 Qershor 2026, 16:25
Komisioni Evropian: Ministri i Mjedisit na tha se punimet janë pezulluar në Zvërnec!
9 Qershor 2026, 16:14
Rama 'përplaset' me gazetaren rumune: U kanë bllokuar trurin!
9 Qershor 2026, 16:13
“Revolucioni i Flamingove” përplas Ramën me Iranin
9 Qershor 2026, 15:56
Ky është Armand Shakaj, i dyshuar si autor i zhdukjes së Eglant Koçit
9 Qershor 2026, 15:30
Senatori demokrat Bernie Sanders: Populli po i thotë JO oligarkisë globale në Shqipëri!
9 Qershor 2026, 15:17
Paqja globale, në rënie për të 12-in vit radhazi, Shqipëria renditet e 36-ta në botë
9 Qershor 2026, 14:47
Prokuroria e Vlorës sekuestron 5 mln euro pasuri
9 Qershor 2026, 14:29
Foto/ Dyshohet se u rrëmbye, kjo është fotoja e fundit 34-vjeçarit para zhdukjes
9 Qershor 2026, 14:20
Kopjac i Vuçiçit dhe në krizë
9 Qershor 2026, 14:11
Zhdukja e Eglant Koçit, arrestohet një person me urdhër të Prokurorisë
9 Qershor 2026, 13:23
Protesta përplas Ramën me mediat botërore, rreziku i krizës së imazhit!
9 Qershor 2026, 13:01
Dhunuan drejtorin e AKU-së në Shkodër, arrestohet njëri prej autorëve
9 Qershor 2026, 12:43
Eksperti i sigurisë ngre alarmin: Grupet kriminale strehohen në zonat e Kamzës!
9 Qershor 2026, 12:36
Vrasja në Paskuqan/ Autori është gjurmuar deri në Bovillë, ka braktisur mjetin
9 Qershor 2026, 12:24
Kush e komandon sot Edi Ramën?!
9 Qershor 2026, 12:14
Rama del 'blof'/ Si po i përqafojnë turistët e huaj protestat në Shqipëri
9 Qershor 2026, 12:00
Si e bindi Rama Perëndimin se fati i Shqipërisë lidhet me emrin e tij
9 Qershor 2026, 11:20
Berisha në konferencën e EPP: Shqipëria ndodhet në sallën e urgjencës
9 Qershor 2026, 10:27
Nga kullat te lumenjtë: kostoja e padukshme e etheve të ndërtimit
9 Qershor 2026, 10:04
Operacioni në Vlorë, zbardhen emrat e 6 të arrestuarve
9 Qershor 2026, 09:44
Këmbimi valutor, me sa shiten dhe blihen monedhat e huaja sot
9 Qershor 2026, 09:26
Transmetoi 'live' protestën, Balla sulmon Reuters: Kanë hall tjetër, jo Shqipërinë
9 Qershor 2026, 09:13
Policia zbarkon në Vlorë, disa të arrestuar, mes tyre një i kërkuar ndërkombëtarisht
9 Qershor 2026, 08:56
Horoskopi, njihuni me parashikimin e yjeve
9 Qershor 2026, 08:40
Shpopullimi alarmant/ Në një vit, Shqipërisë i ikin 33 mijë të rinj
9 Qershor 2026, 08:28
Mot i paqëndrueshëm dhe vranësira, parashikohen reshje shiu në disa zona
9 Qershor 2026, 07:59
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
9 Qershor 2026, 07:45
Kritikoi Ramën, Zegjine Çaushi sulmon influenceren: Të bësh ironi ti shëmtirë...
8 Qershor 2026, 22:37
Nard Ndoka jep lajmin: Sali Berishës i është hequr “non grata”
8 Qershor 2026, 21:59
Rekord firmash në peticionin “Rama Out”, mbi 1 mln e 700 mijë nënshkrime nga shqiptarët
8 Qershor 2026, 20:59
Notarja Eva Buzo i bashkohet protestës: Jeni frymëzues, bota po e dëgjon zërin tuaj!
8 Qershor 2026, 20:48
Kaja Kallas propozon diplomaten portugeze si ambasadore të BE-së në Shqipëri
8 Qershor 2026, 20:28
Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës, Reuters raporton “live” protestën nga Tirana
8 Qershor 2026, 19:07
35-vjetori i PS-së, Rama pritet me protesta në Shkodër
8 Qershor 2026, 18:07
Tensione mes Iranit dhe Izraelit, BE: Rajoni i bllokuar mes luftës dhe armëpushimeve
8 Qershor 2026, 17:42
Shi dhe rrëshqitje dherash në aksin Moglicë–Gramsh, kufizohet qarkullimi në një krah
8 Qershor 2026, 17:21
Mosha e pensionit akoma më e vështirë se jeta në punë
8 Qershor 2026, 17:03
Zgjedhjet në Kosovë, asambleja parlamentare e KE: Pati ndërhyrje nga Serbia
8 Qershor 2026, 16:54
Euro e nis javën në rënie të mëtejshme, zbret drejt pragut të 95 lekëve
8 Qershor 2026, 16:34
Sondazh/ A mendoni se protestat e fundit kanë dëmtuar imazhin e qeverisë Rama?
8 Qershor 2026, 16:22
Boçi: Mazhoranca po bllokon debatin për ligjin që ndalon propagandën gjinore tek fëmijët
8 Qershor 2026, 16:15
Vrasja në Kamëz, autori qëlloi me 10 plumba, në shënjestër ishte edhe shoku i viktimës
8 Qershor 2026, 16:07
Nga kullat te lumenjtë/ Kostoja e padukshme e etheve të ndërtimit
8 Qershor 2026, 15:56
Miratohet në parim amnistia penale, 380 të dënuar lirohen mënjëherë
8 Qershor 2026, 15:11
Abuzimet me fondet “SASPAC”, Apeli lë në burg Ilir Beqajn
8 Qershor 2026, 14:58
FIFA ndryshon traditën historike, ja si do të prezantohen skuadrat në Botërorin 2026
8 Qershor 2026, 14:46
U vra pas një konflikti në Kamëz, ky është 27-vjeçari që u nda nga jeta
8 Qershor 2026, 14:43
Të shtëna me armë zjarri në Velipojë
8 Qershor 2026, 14:38