Flash News

E-TJERA

Shtrenjtimi i naftës ‘rrudh’ transportin publik, shoqatat paralajmërojnë reduktim të urbanëve për qytetarët

Shtrenjtimi i naftës ‘rrudh’ transportin publik, shoqatat

Rritja e çmimit të naftës pritet të godasë drejtpërdrejt jo vetëm xhepat e qytetarëve, por edhe shërbimin e transportit publik.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban paralajmërojnë se, në mungesë të masave urgjente, numri i autobusëve në qarkullim mund të reduktohet deri në 30%.

Në një deklaratë të përbashkët, shoqatat theksojnë se sektori po përballet me rritje të ndjeshme të kostove për shkak të shtrenjtimit të karburantit.

Shoqatat kërkojnë konkretisht rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin, përfshirë akcizën dhe taksën e qarkullimit, heqjen e TVSH-së për transportin publik, si dhe aplikimin e skemave subvencionuese për të përballuar situatën.

REAGIMI:

Shoqatat, vlerësojnë të nevojshme të informojnë opinionin publik dhe institucionet përgjegjëse mbi situatën aktuale të sektorit të transportit publik, e cila po ndikohet ndjeshëm nga rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i saj në kostot e operimit. Transporti publik, si një shërbim me rëndësi të veçantë për qytetarët dhe për funksionimin e ekonomisë, operon në kushte tarifash të rregulluara ligjërisht dhe me mundësi të kufizuara për të përballuar ndryshime të menjëhershme të kostove. Kështu, rritja e çmimit të naftës nga rreth 145 lekë/litër përpara krizave të fundit, në rreth 214 lekë/litër aktualisht, pra një rritje prej afërsisht 70 lekë për litër, ka sjellë një shtim të konsiderueshëm të shpenzimeve operative për operatorët.

Kjo situatë rëndohet më tej nga pesha e lartë e komponentëve fiskalë në çmimin e karburantit, duke ushtruar një presion të vazhdueshëm mbi kapacitetin financiar të sektorit. Si pasojë, ruajtja e ekuilibrit ndërmjet kostove dhe të ardhurave, si dhe garantimi i të njëjtit nivel shërbimi, me të njëjtën cilësi dhe frekuencë po bëhen gjithnjë e më të vështira.

Pavarësisht adresimeve të vazhdueshme pranë institucioneve përgjegjëse, deri në këtë moment nuk janë ndërmarrë masa konkrete për të përballuar këtë situatë. Në mungesë të ndërhyrjeve të menjëhershme, ekziston rreziku që operatorët të mos jenë në gjendje të ruajnë nivelin aktual të operimit dhe frekuencat e shërbimit, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët. Megjithatë, theksojmë se operatorët nuk synojnë reduktimin e shërbimit apo rritjen e çmimit të biletës, por vijueshmërinë dhe cilësinë e tij. Në kushtet aktuale, kjo bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u garantuar pa mbështetje institucionale.

Për sa më sipër, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse ndërmarrjen e masave konkrete dhe të menjëhershme, konkretisht:

1- rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin, veçanërisht në drejtim të akcizës dhe taksës së qarkullimit;

2- vlerësimin e një politike të veçantë për sektorin e transportit publik për heqjen e TVSH-së;

3- aplikimin e mekanizmave subvencionues ose kompensues, me qëllim garantimin e vijueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së këtij shërbimi në interes të qytetarëve.

Shtrenjtimi i naftës ‘rrudh’ transportin publik, shoqatat

Të fundit