Flash News

E-TJERA

Shtyhen afatet e hetimit, Veliajt i komunikohen akuzat në qeli

Shtyhen afatet e hetimit, Veliajt i komunikohen akuzat në qeli

Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar zyrtarisht ditën e sotme akuzat Erion Veliajt. Kanë qenë një grup oficerësh të BKH-së, të cilët kanë shkuar këtë të mërkurë në paraburgimin e Durrësit dhe i kanë komunikuar akuzat kryebashkiakut të Tiranë, i cili ka firmosur në praninë e një prej avokatëve.

Veliaj është marrë i pandehur si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, si dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Të njëjtat akuza si të Erion Veliajt, iu komunikuan ditën e sotme edhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila u paraqit në SPAK së bashku me avokatin e saj, Maks Haxhia.

Jashtë kamerave, avokati Maks Haxhiaj deklaroi se SPAK e ka shtyrë afatin e hetimeve deri më 24 shtator dhe më pas dosja do të përgatitet për t’u dorëzuar në GJKKO për gjykim.

Ndërkohë, ditën e djeshme u paraqit në SPAK biznesmeni shqiptaro-belg Elman Abule, i cili u mor i pandehur dhe iu komunikua akuza si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Të fundit