Flash News

E-TJERA

Shtyhet seanca për vrasjen e Santiago Malkos, mungon gjyqtari dhe prokurori

Shtyhet seanca për vrasjen e Santiago Malkos, mungon gjyqtari dhe prokurori
Seanca gjyqësore ndaj Leonard Dukës dhe të pandehurve të tjerë, të akuzuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, është shtyrë për më 12 qershor. Shkak për shtyrjen e procesit u bë mungesa e njërit prej anëtarëve të trupës gjykuese dhe e prokurorit të çështjes.

Të dy janë të angazhuar paralelisht në një tjetër proces të rëndësishëm gjyqësor, ku po dëgjohet dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili ka nisur zbërthimin e aktivitetit kriminal të bandës së Laert Haxhiut.

Ngjarja për të cilën po gjykohen Leonard Duka dhe të tjerët ndodhi më 27 gusht 2019 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Santiago Malko, ish-punonjës i policisë, u ekzekutua në makinën e tij tip “BMW X5”. Ai ishte një emër i njohur për autoritetet, i përfshirë në disa ngjarje kriminale dhe kishte lidhje të diskutueshme edhe me struktura të administratës shtetërore.

Për këtë vrasje, Prokuroria ka ngritur akuza ndaj tetë personave. Në krye të grupit që dyshohet se kreu atentatin janë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. Sipas dosjes hetimore, të përfshirë në këtë vrasje janë gjithashtu: Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.

Procesi ndaj tyre është konsideruar me rrezikshmëri të lartë dhe pritet të hedhë dritë mbi përfshirjen e grupeve kriminale në eliminimin e figurave të lidhura me botën e krimit, por edhe me institucionet shtetërore.

Të fundit