Flash News

E-TJERA

Si përdoren shqiptarët nga mafia italiane, flet shefi i DIA-s: "Kokat" iu japin punët më të pista që të shpëtojnë vetë

Si përdoren shqiptarët nga mafia italiane, flet shefi i DIA-s:

Shefi i Drejtorisë së Hetimit Antimafia (DIA) Maurizio Vallore ka folur për veprimtarinë e mafias shqiptare në Itali. Ai ka thënë për mediat vendase se ndryshe nga të kaluarën, ku italianët refuzonin të bashkëpunonin me klanet mafioze të huaja, sot ndodh e kundërta.

I pyetur nëse mafia shqiptare i ka prishur ekuilibrat e asaj italiane, shefi i DIA-s u shpreh se përplasjet janë lënë mënjanë dhe se organizatat e huaja janë të afërta me ato vendase.

Ai deklaroi se grupet kriminale shqiptare përdoren nga organizatat mafioze italiane për të trafikuar drogën dhe kryer veprimtari të tjera të jashtëligjshme për të shmangur përfshirjen e "kokave" të mëdha të klaneve vendase.

"Në ditët e para kishte konflikte mes italianëve dhe të huajve, sepse ata mbërritën në Itali duke u përpjekur të përcaktonin se kush komandonte duke nxitur edhe reagimin e vendasve. Megjithatë, sot kemi një dinamikë krejtësisht tjetër: këto organizata të huaja janë të afërta dhe funksionale me organizatat e mëdha mafioze italiane.

Italianët nuk iu kundërvihen të huajve, por iu delegojnë një pjesë të biznesit të tyre, si importi i drogës, kryesisht hashash dhe marihuanë, u japin kontroll mbi disa prej aktiviteteve të tyre dhe pjesën më të dhunshme të punës në mënyrë që ata që drejtojnë këtë biznes të mos kapen me presh në duar. Ata përdorin njerëz që sot janë në Itali dhe nesër zhduken që këtu", u shpreh Vallor .

Ky i fundit tregoi dhe rrugën që përshkrohet derisa droga vjen në Itali. Ai u shpreh se lënda narkotike transportohet me kontejnerë të mëdhej nga Kolumbia dhe bën disa ndalesa derisa mbërrin në Evropë.

"Vjen kryesisht përmes megakontejnerëve nga Kolumbia, ndalesa e parë është Venezuela, pastaj prej andej, përmes vendeve të tjera të Amerikës së Jugut, mbërrijnë në Afrikë, mundësisht përmes Guinea Bissau, ku kodet në kontejnerë janë ndryshuar plotësisht.

Nëse një GPS nuk vendoset në fillim, ngarkesa bëhet e pagjurmueshme. Nga atje, kontejnerët janë renditur për në vendet e Evropës Lindore. Ndoshta mbërrijnë me transbord në Gioia Tauro, por nuk ndalen veçse në një pjesë shumë të vogël: nuk ndalojnë në Itali, duke mbetur kështu anonimë për ne, dhe përkundrazi vazhdojnë drejt Kroacisë dhe vendeve të Ballkanit, ku mijëra e mijëra kilogramë të drogës nisen me kamionë drejt Evropës Veriore. Është rruga më e besueshme dhe e qetë për trafikantët e drogës", shtoi shefi i DIA-s.

 

Të fundit