Flash News

E-TJERA

Si u kthye pularia e drejtorit të burgut në magazinë hashashi, zbardhet dëshmia e Bilal Hasës

Si u kthye pularia e drejtorit të burgut në magazinë hashashi,

Është zbardhur dëshmia e plotë e drejtorit të burgut të Rrogozhinës, i cili u shpall në kërkim, u vetëdorëzua dhe u lirua brenda ditës për 4 mijë bimë hashashi që iu gjetën në pronën e familjes së tij.

Drejtori i pezulluar i burgut mohon të ketë dijeni, por thotë se i vëllai, Romario Hasa, që është shpallur në kërkim, jetonte me prindërit në Peqin dhe kishte lidhur kontratën për transformatorin personal me OSHEE, çështje për të cilën është shpallur në kërkim edhe përgjegjësi për Peqinin, Ervis Maçi.

Bilal Hasa thotë se vite më parë magazinat ku u gjet plantacioni me hashash shërbenin si pulari, por pulat ngordhën në periudhën e Covid-it.

“Kam qenë rrugës duke shkuar për në qytetin e Tiranës për një trajnim në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe, pa mbërritur, kam parë në telefon nga rrjetet sociale për ç’ka kishte ndodhur dhe menjëherë jam kthyer dhe jam paraqitur pranë Drejtorisë së Policisë Elbasan për të sqaruar rrethanat. Dua të sqaroj se banesa dhe magazina që ndodhet aty kanë shumë kohë që nuk frekuentohen nga prindërit e mi dhe nuk banohet nga njeri prej gati 10 vitesh. Banoj në qytetin e Elbasanit me bashkëshorten dhe dy vajzat e mia, nuk kam dijeni fare për çfarë po më pyesni dhe se çfarë ka ndodhur atje. Në fshat shkoj shumë rrallë për të takuar prindërit e mi, të cilët jetojnë me vëllain tim, Romario Hasa… Hera e fundit që kam shkuar ka qenë përpara tre muajsh. Vëllai im ka në administrim një bar-kafe në qendër të fshatit Kurtaj dhe merret vetëm me lokalin. Për banesën kujdesej vëllai. Magazina më parë ka qenë në funksionin e një pularie që ka qenë marrë vëllai im. Nga momenti i Covid-it, me sa di, vëllait i ngordhën pulat dhe nuk është marrë më me atë pjesë. Vëllai vjen ndonjëherë tek lokali im kur ka kohë të lirë ose kur në lokalin tim ka shumë punë, më ndihmon edhe në banak… Nuk kam dijeni të detajeve se çfarë ndodhet aty, por di që vëllai im atë shtyllë e ka bërë me një kontratë me OSHEE përpara disa viteve, nuk më kujtohet se kur…

Policia e Elbasanit e liroi Bilal Hasën pa shkuar ende dosja në Prokurori dhe shpalli në kërkim vëllain e tij, Romarion, si dhe përgjegjësin e OSHEE, Ervis Maçin. Ndërkohë, më 22 mars, doli para gjykatës së Elbasanit për shpërdorim detyre faturisti i OSHEE, Erion Dogovelli, të cilit iu komunikua masa e detyrimit të paraqitjes. Dëshmia e tij nxjerr në pah skandalin se, ndonëse me transformator privat që akuzohet se është vënë me ndihmën e përgjegjësit të tij, Ervis Maçi, ky i fundit i thoshte faturistit se ka humbje 26% të energjisë.. / Fatjon Gjinaj- SYRI.net

Të fundit