Flash News

E-TJERA

Situata me zjarret, flet kreu i Emergjencave: 4 prefektura janë më problematike, një sërë faktorësh ndikojnë ndezjen e tyre

Situata me zjarret, flet kreu i Emergjencave: 4 prefektura janë më

Situata me zjarret në Shqipëri vijon prej ditësh të ketë alarmante. Në disa zona të vendit neutralizimi i flakëve po bëhet mjaft i vështirë.

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako në një lidhje telefonike për News 24, foli lidhur me situatën e zjarreve në vend duke theksuar se situata paraqitet më problematike në Prefekturat e Vlorës, Fierit, Gjirokastrës dhe Beratit. Më delikate vijon të mbetet situata në Karaburun dhe në fshatin Dukat.

“Pothuajse gjithë Ballkani është përfshirë nga temperatura shumë të larta, të ardhura nga Afrika, për shkak të rrymave, që kanë favorizuar ndezjen e zjarreve masive. Janë disa qarqe apo Prefektura edhe në Shqipëri që kanë pasur problematika të konsiderueshme, por ato që kanë dalluar ka qenë Prefektura e Vlorës, Fierit, Gjirokastrës dhe Beratit. Aktualisht situata më e ngarkuar është ajo e Vlorës, në pjesën e Karaburunit dhe fshatit Dukat. Janë të angazhuara të gjitha strukturat, si ato vendore, edhe ato të Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura. Po punohet intensivisht me të gjitha strukturat. Është një punë e vështirë. Aktualisht në Shqipëri nuk ka pasur humbje jetësh apo probleme që rrezikojnë jetën”, tha Çako.

Sa i përket bilancit të dëmeve, Çako tha se deri tani llogaritet të jenë djegur në pjesën më të madhe kullota, livadhe dhe shkurre. Sipas tij, të gjitha strukturat janë në terren duke punuar për neutralizimin e flakëve, ndërsa në orën 21:00 do të mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civle për të bërë vlerësimin e situatës.

“Bilanci paraprak është operativ, sipërfaqe të konsiderueshme të Karaburunit, që janë kullota dhe livadhe, por edhe shkurre. Një vlerësim i plotë do të bëhet kur operacioni të jetë finalizuar. Jemi në kontakt me të gjitha partnerët tanë, që kanë edhe ata angazhimet e veta. Jemi duke organizuar në orën 21:00 mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile për të bërë vlerësimin e situatës. Kemi një helikopter me pajisjet e veta, që po operon. Presim mbështetje të tjera, por janë të kushtëzuara edhe nga angazhimet që vendet e tjera kanë” , u shpreh Çako.

Ndër faktorët që kanë ndikuar në ndezjen e zjarreve, sipas tij janë barinjtë dhe një numër i konsiderueshëm banorësh që djegin shkurret dhe situata iu del nga kontrolli.

“Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në ndezjen e këtyre zjarreve, një pjesë janë nga barinjtë, që kërkojnë rihapjen e kullotave të tyre, ashtu sikurse ka dhe një numër të konsiderueshëm banorësh që djegin shkurret, dhe që ju del nga kontrolli situata, por nuk përjashtohen edhe iniciativa kriminale. Po punohet me policinë për të vërë përpara përgjegjësive autorët, në rastet kur janë identifikuar”, tha ai.

Çako ka vlerësuar maksimalisht punën e strukturave në terren, duke inkurajuar dhe njëherësh duke iu bërë thirrje qytetarëve të bëhen pjesë e këtij reagimi.

“Me keqardhje mund të them se një pjesë e konsiderueshme e njerëzve janë të prirur të interpretojnë pjesën e gotës bosh, se atë plotë. Të gjitha strukturat janë angazhuar maksimalisht. Janë njerëz që kanë sakrifikuar në terren dhe që unë i përshëndes dhe i inkurajoj në punën e tyre. I bëj thirrje qytetarëve të bëhen pjesë e reagimit, pasi në shumicën e rasteve ka më shumë interpretim, se sa reagim”, përfundoi Çako.

 

Të fundit