Flash News

E-TJERA

Skandal / Policia fsheh një mega grabitje me uniforma blu dhe me pengmarrje?

Skandal / Policia fsheh një mega grabitje me uniforma blu dhe me

Një javë më parë, në fshatin Dorëz të Librazhdit ka ndodhur një mega grabitje, ku një grup personash të armatosur dhe të kamufluar si efektiv policie kanë marrë rreth 200 milionë lekë të vjetra në një banesë, si dhe kanë marrë peng pas grabitjes, pronarin e shtëpisë.

Ngjarja ka ndodhur mesnatën e të premtes së kaluar, grabitja e lekëve është regjistruar te familja me mbiemrin Skeja. Grabitja ka qenë e mirëorganizuar, autorët kanë shkuar me dy makina të cilat iu kishin vënë fenelina policia dhe vetë kishin veshur jelek policia, duke u shfaqur para familjes Skeja si efektiv të policisë.

Fillimisht ata iu kanë marrë telefonat familjarëve, që të mos lajmëronin policinë, pas kontrollit në banesë kanë marrë rreth 200 milionë lekë sipas familjarëve dhe para se të iknin kanë marrë peng me vete dhe pronarin e banesës. Atë e kanë lëshuar në afërsi të fshatit Xibrakë, gjatë aksit Librazhd-Elbasan. Arsyeja e pengmarrjes ka qenë vetëm që familjarët të mos njoftonin autoritet, derisa autorët të ishin larguar në një distancë.

Kjo ngjarje fillimisht u denoncua nga ish-kryeministri Sali Berisha në rrjetet sociale përmes qytetarit dixhital më 30 Maj. Madje qytetari dixhital i Berishës guxoi të tregonte dhe autorë, që sipas tij, pas kësaj grabitje qëndronte Suel Çela, i konsideruar si një prej personave më të rrezikshëm në Elbasan, Nuredin Dumani, i shpallur në kërkim si autor i vrasjes së Bujar Çelës dhe banda e grabitjes së parave në aeroportin e Rinasit.

Pas Berishës, kjo grabitje u denoncua dhe nga gazetari investigativ Artan Hoxha, mbrëmjen e të mërkurës në emisionin “Opinion”. Ai ka treguar më shumë detaje nga kjo ngjarje ku tha se grabitësit janë verifikuar se kanë qenë 7 persona dhe se në banesë ndodhe vëllai i madh, bashkëshortja me dy fëmijet dhe nëna e tij. Sipas Hoxhes, familjarët kanë thënë se lekët i kishte sjellë vëllai i vogël nga Anglia dhe se ky i fundit dyshohet se merret me prodhim të lëndëve narkotike atje.

“Dy automjetete, me 7 persona deri tani, të verifikuar që janë 7, kanë shkuar në një banesë në dshatin Dorëz të Librazhdit. Aty ndodhej vëllai i madh i shtëpisë, në mos gaboj emrin, Gëzim Skeja, me bashkëshorten, dy fëmijët dhe nënëm. Vëllai i vogël është në Angli. Paraqiten si policia në orën 12 e 5 minuta, mesnatën e të premtes së kaluar. Paraqiten në banesë me uniformë policie, të armatosur, i marrin celularët në shtëpi, kontrollojnë në banesë, i gjejnë 200 milionë lekë tëe vjetra. Marrin djalin e madh të shtëpisë i cili merrej me shumë me bagëti, e marrin me vete në aksin Librazhd-Elbasan dhe e kanë lëshuar afër Xibrakës. Pra e kanë marrë që ky të mos njoftonte policinë, derisa ata të largoheshin. Kanë qenë dy makina policie, 7 persona të veshur me jelekë. Kjo ka ndodhur ditën e premte në orën 12:05 të mbrëmjes, pra kanë marrë 200 milionë lekë. Vetë familjarët kanë bërë denoncimin se kishin 200 milionë, sepse saktësisht ende nuk është verifikuar. Familjarët kanë thënë që janë 200 milionë lekë të vjetra që na i ka sjellë djali që është në Angli. Dyshimet janë që ai në Angli mund të jetë i përfshirë te “shtëpitë e barit”. Mënyra e veprimit me uniforma të policisë, me fenelina policie mjetet. Nga kamerat e sigurisë që ka siguruar policia e Elbasanit dhe Prokuroria, janë fiksuar mjetet, janë përpjekur të identifikojnë kush janë autorët e kësaj. Duket një veprim i ngjashëm si me grabitjen e Rinasit, apo me rrëmbimin e Enver Stafukës.” tha Artan Hoxha.

Ngjarja konfirmohet edhe për Politiko nga banorët e zonës, të cilët preferojnë të mbeten anonimë. Ata tregojnë të njëjtat detaje.

Por, skandali më i madh qëndron tek Policia e Elbasanit. Ajo ende nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për këtë mega grabitje. Qoftë edhe një njoftim sado i vogël, thjesht inicialet e personit që i janë grabitur lekët dhe se kanë nisur hetimet.

Pyetjet që shtrohen pas kësaj janë se: Nga kush ka frikë policia për të njoftuar mediat lidhur me këtë ngjarje? A mos vallë autorët e kësaj grabitjeje janë ata që ka treguar me emra qytetari dixhital i ish-kryeministrit Berisha, njëri i konsideruar si i “forti” i Elbasanit dhe tjetri i shpallur në kërkim për vrasje?

 

Të fundit