Flash News

E-TJERA

Skema e Call Center-ave, Lala: Fitimi mujor arrinte deri në 30 mln euro, me mbështetjen e policisë

Skema e Call Center-ave, Lala: Fitimi mujor arrinte deri në 30 mln euro, me

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të forta nga operacioni i fundit kundër call center-ave mashtrues në Tiranë, duke theksuar se fitimet e tyre mujore arrinin shifra marramendëse dhe se veprimtaria e tyre do të ishte e pamundur pa mbështetje nga strukturat e Policisë së Shtetit.

E ftuar në emisionin ‘Studio 24’ në News24, Lala zbuloi se hetimi dydyvjeçar u iniciua nga autoritetet austriake, pas ankesave të shumta nga qytetarë të mashtruar në Austri. Sipas saj, operacioni i policisë u krye pas marrjes së autorizimit nga Gjykata e Tiranës, e cila miratoi 9 masa sigurie: 7 ‘arreste me burg’ dhe 2 masa më të lehta për një financier dhe një grua shtatzënë.

“Këto struktura nuk funksionojnë dot pa lidhje të forta me Policinë e Shtetit,” pohoi Lala, duke shtuar se rrjeti kriminal shtrihej në shumë vende perëndimore si Gjermania, Kanadaja, Italia, SHBA, Spanja dhe Franca.

Gazetarja shpjegoi edhe mekanizmin e dyfishtë të mashtrimit. Pasi një viktimë e kuptonte se ishte mashtruar, operatorët e telefononin sërish duke i kërkuar shuma të tjera parash, që mund të arrinin deri në 1 milion euro, me premtimin e rremë për t'i kthyer paratë e humbura.

“Shqipëria është kthyer në një hambar të madh të call center-ave,” deklaroi Lala, duke theksuar se vetëm nga ky grup, “fitimi mujor i përllogaritur arrinte deri në 30 milionë euro.”

Ajo gjithashtu vuri në dukje se ky operacion shënoi herën e parë që Europol bashkëpunoi drejtpërdrejt me Prokurorinë e Tiranës për një hetim të këtij lloji.

Të fundit