Flash News

E-TJERA

"S'kemi më letra", kreu i SPAK-ut kërkon godinë të re: Është shtuar fluksi dhe numri i punonjësve

"S'kemi më letra", kreu i SPAK-ut kërkon godinë

Kreu i SPAK-ut, Arben Kraja ishte sot në Komisionin e Ligjeve për të folur në lidhje me buxhetin e vitit 2022. Ai parashtroi kërkesën për ndërtimin e një godine të re për Byronë Kombëtare të Hetimit, duke theksuar se ka një numër të lartë të punonjësve.

“Ne jemi të kënaqur në parim me atë që është paraqitur. Kemi dy probleme që duhet t’i shtroj këtu. Problemi i parë është nevoja e një ndërtese për Byronë Kombëtare të Hetimit. Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë e ngritur në varësinë tonë që ka organikë 60 hetues, shto drejtorin plus 20 administratë, është një numër goxha i madh.

Deri tani është përfshirë në objektin që jemi ne në gjendje shumë të mirë, por nga pikëpamja fizike është e pamundur me i përballuar të gjithë këta njerëz. Për momentin po përballohen sepse Byroja Kombëtare e Hetimit për momentin ka 28 hetues nga 60, procedura e dytë e emërimit përfundon në dhjetor dhe do të bëjnë një lloj trajnimi 4-mujor dhe do të duhet që ata 32 të tjerët duhet të sistemohen deri në maj. Është një problematikë që duhet të marrë zgjidhje deri vitin e ardhshëm dhe duhet të jetë në vëmendjen tuaj”, tha Kraja.

Ky i fundit ka kërkuar që të mos ulet fondi i investimeve, sikurse është parashikuar, ndërsa ka nënvizuar se janë rritur shpenzimet. Me nisjen e punës nga BKH-ja, Kraja tha se është shtuar fluksi i punës, ndërsa me batutë tha se iu është mbaruar dhe letra.

“E filluam vitin, po e them pak me humor, me idenë se do të na teprojë letra, s’dimë ku do ta çojmë, sot po më thoshte drejtori se nuk kemi letër më, sepse ka filluar punë Byroja e Hetimit dhe është rritur fluksi në mënyrë të jashtëzakonshme”, u shpreh Kraja.

 

Të fundit