Flash News

E-TJERA

Socialistët e shampanjës-ata që predikojnë barazinë, por jetojnë në luks

Socialistët  e shampanjës-ata që predikojnë barazinë,

Jason BRENNAN & Christopher FREIMAN /Reason

Ka qenë një vit i keq në marrëdhëniet publike (piarin) për socialistët e Shampanjës - ose nëse preferoni, Marksistët Neiman*. Socialisti i fashmëm në rrjetin Twitch dhe prezantuesi i Young Turks (Turqit e Rinj), Hasan Piker, bleu një shtëpi 2.7 milionë dollarëshe në Beverly Hills, të kompletuar me një pishinë dhe një ekran të madh të jashtëm (outdoors), perfekt për argëtim. Milionerja Aurora James dizenjoi fustanin "Tax the Rich" të përfaqësueses demokrate të Nju Jorkut në Kongres, Alexandria Ocasio-Cortez, të cilin ajo e veshi në Met Gala, ku një biletë kushton 35,000 dollarë.

Fenomeni i egalitarianëve (barazitistëve) që jetojnë në luks duke denoncuar të këqijat e pabarazisë nuk është i ri. Në vitin 2018, senatori socialist i Vermontit, Bernie Sanders, pagoi një normë tatimore efektive prej 26 për qind, pavarësisht se bëri fushatë në një platformë që do t'i kërkonte atij të paguante më shumë se 40 për qind. Pas taksave dhe donacioneve, Sanders mbetet brenda 1 përqindëshit të atyre që fitojnë më shumë monetarisht në Amerikë dhe 0,02 përqindëshit në mbarë botën. Vëzhguesit kuriozë mund të pyesin pse Sanders, një kritik i palodhur i 1 përqindëshit, nuk e shet shtëpinë e pushimit prej 575,000 dollarësh dhe nuk i jep të ardhurat për bamirësi, ose nuk i ofron ato si donacion për qeverinë e SHBA-së nëpërmjet pay.gov. E njëjta gjë vlen edhe për senatoren e Massachusetts, Elizabeth Warren, një progresiste prej shumë kohësh, e cila ka një vlerë neto prej mbi 10 milionë dollarësh e megjithatë ka dhuruar vetëm 50,128 dollarë në 2018.

Në pamje të parë, hipokrizia e egalitarianëve të pasur, me stilin e tyre të jetesës jo-barazitiste duket e pamohueshme. Ata bëjnë thirrje për taksa më të larta për njerëzit si ata, sepse mendojnë se është e padrejtë që disa të kenë kaq shumë, ndërsa të tjerët kanë kaq pak. Duket e gabuar, pra, që ata të shpenzojnë paratë e tyre shtesë për veten e tyre në vend që t'ua dhurojnë të varfërve. Në fund të fundit, sipas retorikës së tyre, të varfërit kanë një të drejtë morale më të fortë për këto para sesa ata vetë.

E thënë ndryshe, egalitarianët e pasur i konsiderojnë të ardhurat e tyre të tepërta, si pronë të mbajtur padrejtësisht. Por është e çuditshme të kërkosh që shteti t'ju detyrojë t'ua jepni pronën tuaj të padrejtë pronarëve të ligjshëm, në vend që t'ua jepni vetë. Nëse fqinjit tuaj i bie portofoli, ju duhet të zgjidhni t'ia ktheni atë, jo të prisni që policët t'ju detyrojnë t'ia ktheni. Nëse të varfërit i meritojnë më shumë se ju të ardhurat tuaja të tepërta, dhurojuani atyre - mos prisni që IRS t'i marrë (veçanërisht nëse e dini se ata nuk e kanë në plan).

Por ndoshta socialistët e shampanjës mund ta mbrojnë veten. Barazitaristët shpesh thonë se pabarazia është një problem strukturor, dhe lidhet me modelet e shpërndarjes së pasurisë, të ardhurave dhe statusit. Pabarazia shkaktohet nga institucionet e padrejta, dhe kështu eliminimi i pabarazisë kërkon ndryshimin e këtyre institucioneve në vend të ndryshimit të sjelljes individuale. Në të vërtetë, vetë Piker argumenton në Twitter, "Domosdoshmëria e bamirësisë është një tregues i dështimit sistemik. Është ende e dobishme të ndihmosh organizatat e ndihmës reciproke në afat të shkurtër, por nuk është mënyra se si zgjidhen problemet strukturore." Ai sugjeron: "Dëgjo, nëse je i inatosur me mua, takso në maksimum njerëzit si unë." Realizimi i barazisë ekonomike, mendon ai, kërkon ndryshime në kodin tatimor dhe jo ndryshime në sjelljen e dhënies së individëve. Rregullimi i padrejtësisë kërkon që ne, jo Piker, të hapim portofolin e tij.

Megjithatë, siç filozofi i Oksfordit G.A. Cohen vuri në dukje në librin "Nëse je egalitarian, si je kaq i pasur?", fakti i thjeshtë që nuk mund të rregullosh një institucion të padrejtë nuk nënkupton që nuk duhet të rregullosh disa nga dëmet e shkaktuara nga ai institucioni. Supozoni se zbulojmë që policët, sistematikisht, po fusin në kurth njerëz të pafajshëm duke vendosur gjurmë gishtërinjsh në skenat e krimit. Do të ishte absurde që një juri ose një prokuror qarku, që e di këtë të refuzojë të lirojë një person të vetëm të pafajshëm me arsyetimin se shpëtimi i një viktime nuk e rregullon sistemin. Në mënyrë të ngjashme, supozoni se hendeku midis të pasurve dhe të varfërve është i padrejtë—të pasurit kanë shumë dhe të varfërit kanë shumë pak. Do të ishte moralisht e gabuar që një person i pasur të refuzonte t'u jepte të varfërve një pjesë të tepricës së vet me arsyetimin se dhurimi nuk rregullon sistemin tatimor që i mundësoi të grumbullonte tepricat.

Një mbrojtje e socializmit të shampanjës pretendon se donacionet individuale janë thjesht një "pikë në oqean", për të huazuar frazën e Cohen. Edhe dhurimi i një milion dollarëve për të varfërit nuk do të bëjë një ndryshim domethënës në shpërndarjen e përgjithshme të pasurisë dhe të ardhurave. Ndonjëherë argumente të tilla kanë kuptim. Supozoni se një person thotë: "Ndryshimi i klimës është një problem serioz", por nuk përdor biçikletë ose makinë elektrike. Ai mund ta justifikojë këtë duke thënë, me të drejtë, se vendimi për një biçikletë ose për të kaluar te një makinë elektrike do të kishte një efekt të papërfillshëm në ndryshimin e klimës. Nuk do të ndihmonte askënd. Ndryshimi i klimës është padyshim një problem klasik i veprimit kolektiv, ku ajo që ka rëndësi është ajo që bëjmë ne, jo ajo që bën secili prej nesh.

Është e vërtetë që egalitari i pasur nuk mund të eliminojë personalisht pabarazinë mbarëkombëtare duke dhuruar të ardhurat e tepërta. Është e vërtetë që nëse e bën këtë, ndryshimi në shpërndarjen e të ardhurave apo pasurisë do të jetë i papërfillshëm. Por, ndryshe nga rasti i klimës, në fakt mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm pozitiv për diçka që i intereson: mirëqenien e të varfërve. Një individ nuk mund të eliminojë pabarazinë, por mund të shpëtojë një jetë ose t'i japë fund privimit të dikujt. Kur një egalitar i pasur dhuron për të varfërit, ai transferon para nga dikush që beson se nuk duhet t'i ketë te dikush që beson se duhet. Një dhurim i vetëm mund të jetë një pikë në oqean, por ndonjëherë pikat në oqean kërkohen moralisht. Lirimi i të burgosurit të dënuar gabimisht mund të mos ketë një efekt domethënës në numrin e përgjithshëm të të burgosurve të dënuar gabimisht, por ju ende keni një detyrim moral për ta liruar atë.

Për më tepër, duke marrë seriozisht argumentin e "pikës në oqean" do të nënkuptohej se njerëzit nuk janë të detyruar të bëjnë shumë nga gjërat që egalitarianët mendojnë se duhet - të tilla si votimi për Bernie Sanders. Vota juaj për Sanders nuk do të përcaktojë rezultatin zgjedhor, por ai na nxit ta bëjmë gjithsesi. Sigurisht, Sandersi që inkurajon të tjerët për t'i dhënë pushtet ndihmon veten, ndërsa paratë e dhuruara nga ai do ta dëmtonin. Sanders mund të thotë se nëse mjaft prej nesh votojnë në mënyrën e duhur, ai mund të fuqizohet për të ndihmuar në uljen e pabarazisë. Por nëse mjaft prej nesh dhurojnë në mënyrën e duhur, ne mund të reduktojmë pabarazinë dhe varfërinë mbarëkombëtare.

Një egalitarian mund të përgjigjet se arsyeja e vërtetë për t'i dhënë përparësi ndryshimeve sistematike në shkallë të gjerë nuk është pasurimi i të varfërve, por fundi i shfrytëzimit kapitalist. Një donacion për bamirësi nuk do ta bëjë këtë. Teoricieni politik i Brooklyn College Corey Robin pohon: "Në kapitalizëm, ne jemi të detyruar t'i nënshtrohemi shefit. Të tmerruar se mund se mund ta kapim në humor të keq, ne përkulemi dhe stërmundohemi, bëjmë lajka dhe flirtojmë, apo dhe më keq - vetëm për të marrë atë rritje rroge ose për të mos u pushuar nga puna. Argumenti socialist kundër kapitalizmit nuk është se ai na bën të varfër, por se na bën të palirë." Në mënyrë të ngjashme, Mathew Snow shkruan në artikullin për Jacobin, gusht 2015, "Kundër Bamirësisë", se përqendrimi i vëmendjes sonë morale në dhënien individuale efektive në mënyrë ironike "i lutet individëve që të përdorin paratë e tyre për të blerë gjërat e nevojshme për ata që kanë nevojë dëshpërimisht, por nuk thotë asgjë për sistemin që përcakton se si prodhohen dhe shpërndahen ato mjete në radhë të parë”. Nëse Piker i dhuron të ardhurat e tepërta për të varfërit, ai përsëri nuk do t'i çlironte përfituesit e tij nga dominimi i klasës kapitaliste. Ndoshta ata tani mund të rregullojnë kondicionerin e makinës së tyre Chevy, por gjithsesi me atë makinë do të shkojnë për të punuar nën thundrën e shefit.

Edhe nëse e pranojmë këtë kritikë të dyshimtë ndaj kapitalizmit, objeksioni nuk funksionon. Nuk ka dyshim se një socialist i pasur nuk mund të shfuqizojë në mënyrë të vetme shfrytëzimin kapitalist; megjithatë, ai mund ta zvogëlojë shfrytëzimin kapitalist në margjina. Ndoshta, duke marrë një sugjerim nga filozofi i Harvardit, Robert Nozick, mund t'i përdorte milionat e saj/tij për të financuar një firmë të kontrolluar nga punëtorët, që funksionon sipas parimeve demokratike socialiste. Nozick argumentoi se sindikatat që synojnë të çlirojnë punëtorët nga dominimi i punëdhënësve do të bënin mirë që t'i merrnin gjërat në duart e tyre: Ata mund të zbrazin arkat e sindikatave për të krijuar firma që i bëjnë punëtorët shefa. Vendimet se çfarë të prodhohet, kush të punësohet dhe kush të pushohet nga puna mund të merren kolektivisht, me secilin punëtor që ka të njëjtën vlerë vote. Nga këndvështrimi socialist, sigurisht që kjo strategji është më premtuese sesa të lobosh një kapitalist që të japë çfarë i tepron nga darka.

Edhe pse Nozick u përqendrua te sindikatat e punëtorëve, argumenti i tij përgjithëson: egalitarët e pasur mund të përdorin milionat për të financuar kooperativat e punëtorëve. Do të vërejmë se ky ishte pikërisht lloji i marrëveshjes që Nathan Robinson, autor i "Pse duhet të jesh socialist" i vitit 2019 (All Points Books) dhe avokat i zëshëm i sindikatizimit, dyshohet se u përpoq të pengonte në revistën e tij. (Robinson më vonë kërkoi falje për planet e tij për të riorganizuar revistën ndërsa mohoi se ai "u përpoq të parandalonte [Current Affairs] të bëhej një kooperativë.") Sigurisht, demokratizimi i një vendi të vetëm pune do t'i linte strukturat ekonomike kapitaliste të paprekura diku tjetër. Prapëseprapë, fakti që nuk mund të eliminoni të gjithë shfrytëzimin ose shtypjen nuk është arsye për të mos eliminuar disa shfrytëzime dhe shtypje, dhe sigurisht që nuk është një licencë për të shtypur vetë punëtorët.

Filozofi i Universitetit të Nju Jorkut, Thomas Nagel, ofron një arsyetim tjetër për mbajtjen e parave të tij: Është e paarsyeshme që ai të mbajë mbi supe barrën e dhurimit të të ardhurave të tij të tepërta kur të tjerët nuk e bëjnë këtë. Ky lloj argumenti është i besueshëm kur flasim për një konkurs. Për shembull, Sanders mbron financimin publik të zgjedhjeve, por pranon fondet private të fushatës. Ne mund ta justifikojmë këtë mospërputhje të dukshme: Ju mund të bëni thirrje për ndryshimin e rregullave aktuale, duke mos qenë i detyruar të vini në disavantazh veten duke ndjekur rregullat tuaja ideale tani, veçanërisht kur kjo zvogëlon shanset tuaja për të reformuar rregullat. Kjo është e vërtetë për futbollin dhe zgjedhjet.

Por drejtësia rishpërndarëse nuk është një garë, si zgjedhjet. Qëllimi i të qenit egalitar nuk është të mposhtni të tjerët; është të ndihmuarit e atyre që kanë nevojë. Nëse njerëzit po mbyten për shkak të mungesës së kamerdareve, ju duhet t'i hidhni tuajat për të shpëtuar jetën e tyre, pavarësisht nëse fqinjët tuaj po e bëjnë këtë apo jo.

Konsideroni se sa i çuditshëm tingëllon argumenti i "fairness" kur zbatohet për pothuajse çdo çështje tjetër të drejtësisë. Imagjinoni që po i luteni një rrëmbyesi që t'i kthejë fëmijët që ka marrë dhe të heqë dorë nga rrëmbimi përgjithmonë. Ai përgjigjet, "Por kjo do të ishte e padrejtë! Unë nuk do t'i kthej këta fëmijë dhe do të tërhiqem nga pengmarrja derisa të gjithë të tjerët ta bëjnë." Ky argument është absurd. Siç thotë shprehja, dy gabime nuk bëjnë një të drejtë. Duke vënë në dukje se barazitistët e tjerë nuk po japin pasurinë e tyre, nuk është as shfajësim dhe as përligjie, siç edhe fëmijët mund të dëshmojnë.

Nagel gjithashtu pretendon se të vendosurit se kur dhe ku t'i dhuroni paratë tuaja është "më e bezdisshme" sesa të paguani taksat. A është kështu, megjithatë? Ruajtja e informacionit të kartës sonë të kreditit për të lejuar donacione bamirëse mujore është shumë më e lehtë se sa mbushja e formularëve të taksave. Dhe të kuptosh se cilat organizata bamirëse ndihmojnë në mënyrë efektive të varfërit nuk është gjithashtu veçanërisht e bezdisshme, sepse vlerësuesit e bamirësisë e kanë bërë tashmë këtë për ju. Për të dhënë një shembull, Fondi i Ndikimit Maksimal i Givewell.org shpërndan fonde për ato organizata bamirësie për të cilat arrin në përfundimin se bëjnë më të mirën për çdo dollar të dhuruar.

Për të qenë të qartë, nuk po mundohemi të formulojmë argumentin banal që njerëzit ndonjëherë punojnë me institucionet apo strukturat që përgjithësisht i refuzojnë. Një anarkist nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vozisë në rrugë publike. Një libertarian mund t'i dërgojë fëmijët në shkollat ​​publike për të cilat paguajnë taksat e tij. Një marksist mund të përçmojë prodhimin privat, por ende punon në një firmë fitimprurëse. Nuk mund të pritet që njerëzit të martirizohen për ideologjitë e tyre dhe kanë të drejtë të jetojnë jetë të denjë duke pasur parasysh strukturat përreth që ata nuk mund t'i kontrollojnë.

Por, marksistët Neiman që dhurojnë të ardhurat e tyre të tepërta do të vazhdojnë të jetojnë jetë dinjitoze. Argumenti ynë nuk është se ata duhet të mjerohen për t'u bërë dëshmorë për kauzën e tyre. Ne pretendojmë vetëm se ata duhet të japin shumën që ata vetë e konsiderojnë të përshtatshme për të taksuar - para të cilat, sipas standardeve të tyre, në radhë të parë nuk duhet t'i kenë. (Në vitin 2018, Sanders deduktoi nga taksat 18,950 dollarë në donacione bamirësie - vetëm 3.3 përqind e të ardhurave të tij totale.)

Së fundi, është veçanërisht e gabuar që dikush të përdorë qëndrimin moral për t'u bërë i pasur dhe i famshëm, dhe më pas, në vend që të shmangë sjellje që pretendojnë se është e gabuar, të kënaqet me të ose të përfshihet në të shumë më tepër se të tjerët. Ka diçka qesharake dhe të kalbur te pastori i krishterë fundamentalist që bëhet i famshëm për dënimin e seksit jashtëmartesor, por që punëson një harem prostitutash. Ose kini parasysh liderët qeveritarë që kërkojnë distancim social dhe maska, por për vete bëjnë mbrëmje të mëdha me të pamaskuar ndërsa shtetet e tyre janë në karantinë. Ose intelektuali publik që dënon materializmin në gjithçka, por kërkon 30,000 dollarë dhe biletën e avionit të klasit të parë për të dhënë leksione mbi materializmin e shoqërisë. Kur shkëputja midis sjelljes personale dhe ideologjisë së shprehur është kaq dramatike, dhe kur personi bëhet i pasur dhe i famshëm për shprehjen e asaj ideologjie, ne duhet të pyesim veten nëse ai ka qenë ndonjëherë i sinqertë apo thjesht është përpjekur të promovojë veten.

Realiteti është se për shumë njerëz, shprehja publike e ideologjisë nuk ka të bëjë me përpjekjen për të thënë se çfarë është e drejtë dhe e gabuar; ka të bëjë me përpjekjen për t'u dukur mirë para të tjerëve. Është masturbim moral, jo teori morale. Në vend që të ndihmojnë të tjerët—gjë që mund t'u kushtojë diçka!—ata bëhen avokatë të ndihmës së të tjerëve. Në vend që të përmirësojnë disa nga efektet e këqija të padrejtësisë—që mund t'u kushtojë diçka!—ata mbrojnë drejtësinë. Ata më pas konsumojnë shkëlqimin e ngrohtë të altruizmit kallp dhe fitojnë admirimin e bashkëmoshatarëve me mendje të njëjtë, gjithmonë duke jetuar një mënyrë jetese luksoze egoiste.

Ekonomisti i Universitetit George Mason, Tyler Cowen, vuri në dukje një herë se në Shtetet e Bashkuara, politikat dhe sjellja e qyteteve duket se janë në kundërshtim. Qytetet egalitare me shpërndarje mjaft të barabartë të të ardhurave priren të kenë etikë konservatore, ndërsa qytetet që kanë pabarazi masive në pasuri dhe që shpërblejnë njerëz me status të lartë - si Los Anxhelosi dhe Nju Jorku - priren të kenë ideologji të majta dhe egalitare. Një mundësi është që veshja e një ideologjie të majtë është një lloj mbulese për të jetuar një jetë të krahut të djathtë. Ndoshta kjo shpjegon pjesërisht pse universitetet elitare janë kaq të majta. Ata shesin statusin e elitës, por këtë e mbulojnë me lëvdata të pandërprera të drejtësisë sociale. Mund të ndodhë që Harvardi të jetë një institucion i krahut të djathtë që minon drejtësinë sociale, por nëse nuk ndalet kurrë së foluri për barazinë, ndoshta nuk do ta vini re.

Merrni parasysh ritualin amerikan të dhënies së një unaze të shtrenjtë fejese kur dikush propozon martesë. Ndër të tjera, unaza shërben për një qëllim sinjalizues: Fakti që propozuesi ishte i gatshëm të përballonte një kosto, të sakrifikonte rrogën e dy muajve për një xhingël, është një dëshmi e fortë se ky person është i sinqertë dhe i përkushtuar. Në përgjithësi, kur njerëzit kanë një kosto reale për të jetuar sipas pikëpamjeve të tyre të pretenduara, si psh kur njerëzit fetarë abstenojnë nga ushqimi i shijshëm, kjo është dëshmi që e kanë me gjithë mend.

Në të njëjtën frymë, Piker mund të shesë shtëpinë e tij në Beverly Hills dhe të japë pjesën më të madhe të parave për bamirësi për të treguar përkushtimin ndaj barazisë. Të flasësh për socializmin është falas (në të vërtetë edhe fitimprurëse); një donacion prej 2 milionë dollarësh nuk është. Megjithatë, në vend që të përballojnë një kosto reale për të ndihmuar me të vërtetë të varfërit, Piker dhe barazitistë të tjerë të shquar adoptojnë një filozofi që ata mendojnë se demonstron zemrat e tyre të mira, por që u lejon atyre të jetojnë mirë ndërsa njerëzit vdesin.

*Marksist Neiman: Dikush me edukim universitar, me pikëmpamje liberale dhe deri diku bohem (zakonisht femër dhe e bardhë), i cili, ndërsa blen xhinse 400 dollarë dhe planifikon vizita në klubet ekskluzive të natës në Vegas, mbështet revolucionin marksist, i pëlqen Che dhe/ose protestat kundër OBT-së dhe pretendon ndjeshmëri për të varfërit dhe të shtypurit sakohë nuk jetojnë në lagjen e tij. Ai ose ajo do të kenë udhëtuar në një qytet relativisht të sigurt në botën në zhvillim, me Starbucks, si Dubai, Buenos Aires ose Cape Town. Do të ketë patjetër një copë arti "etnik" në apartamentin e saj/tij dhe/ose shtëpinë në periferi në një komunitet ekskluizv. Vetë emri Neiman lidhet me rrjetin e shitoreve luksoze Neiman Marcus.

**Në shqip nga Politiko.al

 

Të fundit