Flash News

E-TJERA

Sot 13 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO

Sot 13 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO

1 Prilli shënon sot 13 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, e njohur ndryshe si NATO.

Shqipëria u pranua si vend aspirant në NATO, në vitin 1999, duke hyrë në një fazë me angazhime të intensifikuara të shtetit shqiptar dhe përkrahjen e ndërkombëtarëve. Po në të njëjtin vit, Shqipëria paraqiti për herë të parë Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO.

Në maj të vitit 2003, tre vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia (sot RMV), bashkë me SHBA-të nënshkruan Kartën Adriatik 3-SHBA. Kjo u konsiderua nisma e parë që do të përgatiste tre vendet për t’u bërë pjesë e NATO-s.

Në vitet 2004-2008, Shqipëria vazhdoi procesin e bashkëpunimit me Aleancën dhe për përmbushjen e objektivave të partneritetit, të cilat kishin në fokus modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, për të operuar së bashku me forcat e NATO-s.

Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit më 2 prill 2008. Më 25 prill të po këtij viti, filluan zyrtarisht bisedimet. Anëtarësimi përfshinte çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore.

Më 9 Korrik të 2008-ës, u nënshkruan në Bruksel protokollet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë.

Pas ratifikimit të protokollit, më 1 Prill 2009 Shqipëria u anëtarësua në NATO. Për herë të parë si anëtare e NATO-s, Shqipëria mori pjesë në mbledhjen e 4 Prillit të 2009 në Strasburg. Ndërsa në 7 Prill 2009, selia e NATO-s në Bruksel mbajti ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit shqiptar dhe atij kroat.

Të fundit