Flash News

E-TJERA

Sot gjyqi në Apel për vulën e PD-së, opozita zbret në shesh

Sot gjyqi në Apel për vulën e PD-së, opozita zbret në

Gjykata e Apelit pritet t’i japë fund sot çështjes së Partisë Demokratike, për vulën dhe siglën. Trupi gjykues do jetë i përbërë nga relatore Gjyqtare Elona Mihali, anëtare Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja.

Seanca do të fillojë në orën 11:00, ndërsa në po të njëjtën ditë opozita mban edhe protestën e radhës kundër qeverisë Rama.

Nën sloganin “Shqipërisë t’i dalim zot”, qytetarët do të protestojnë sërish për të disatën herë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Grumbullimi i protestuesve do të nisë nga selia e Partisë Demokratike.

Protesta e cila nis në orën 12:00, është thirrur nga kreu i PD-së Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Kujtojmë se dje u zhvillua në Parlament edhe mocioni me debat me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit nuk dha shpjegime dhe detaje nga përfshirja në skandalin me McGonigal, por qëndroi 45 minuta duke lexuar aktakuzën amerikane dhe më pas u largua pa pritur të fillojë mocioni me debat.

Opozita e kishte kërkuar prej një muaji interpelancën dhe mocionin me debat me Ramën. Seanca e djeshme u shoqërua me debate, por ishte më e qetë se seancat e shkuara, ku socialistët kanë përdorur mekanizimin e përjashtimin për demokratët.

Policia ka njoftuar edhe planin e masave që do të ndiqet në kuadër të protestës. Sipas njoftimit, do të bllokohen disa akse rrugore: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Duke filluar nga ora 06:00, nuk do të lejohet parkimi i makinave në rrugët e sipërpërmendura.

Të fundit