Flash News

E-TJERA

Sot jepet masa e sigurisë, ç'thuhet në dosjen e prokurorisë për dy rusët dhe ukrainasin që sulmuan uzinën në Gramsh

Sot jepet masa e sigurisë, ç'thuhet në dosjen e

Dy rusët dhe ukrainasi që sulmuan Uzinën Ushtarake Çekin në Gramsh duke lënë të plagosur dy ushtarët që ruanin godinën, do të dalin sot para Gjykatës së Elbasanit. Seanca në gjykatë fillon në orën 11:00.

Ndërkohë është zbardhur dhe një pjesë e dosjes së prokurorisë ku thuhet se Svetlana Timofeeva, Mikhail Zorin dhe Fedir Alpatov, akuzohen se janë rekrutuar nga Shërbimet e Inteligjencës dhe kanë ardhur në Shqipëri me misione të caktuara.

“Nga aktet e këtij procedimi, rezulton se më datë 20 gusht, rreth orës 17:35, nga ana e punonjësve të shërbimit, rojeve ushtarake të Uzinës Mekanike Ushtarake Çekin, është njoftuar salla Operative e Komisariatit Gramsh, se në ambientet e rrethimit të brendshëm të këtij objekti është futur një shtetas i huaj, i cili pasi është konstatuar nga roja shërbimit, është larguar nga magazinat duke kaluar muret rrethuese të uzinës. Ky shtetas është ndjekur nga dy rojet e uzinës dhe në distancë rreth 200 metra larg objektit, në momentin që ata janë afruar për ta ndaluar dhe shoqëruar këtë shtetas, ai ka bërë rezistencë dhe ka nxjerrë një sprai duke ua hedhur në fytyrë dhe në trup, me qëllim që të largohej nga ata. Me gjithë këto veprime, rojet kanë bërë të mundur neutralizimin e tij dhe e kanë mbajtur të bllokuar deri në momentin që kanë ardhur shërbimet e komisariatit të Policisë Gramsh, të cilat kanë bërë shoqërimin e tij në ambientet e komisariatit. Rezulton se shtetasi i huaj, Mikhail Zorin, me shtetësi ruse, ka qenë i shoqëruar nga dy persona të tjerë, të cilët udhëtonin me një mjet sportiv ngjyrë portokalli me vija të zeza. Menjëherë janë organizuar shërbimet dhe janë vendosur pika kontrolli dhe është bërë e mundur kapja e mjetit, ku ndodheshin shtetasi ukrainas Fedir Alpotav dhe shtetasja ruse, Svetlana Timofeeva”, thuhet në dosje në lidhje me ngjarjen.

Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar masën e sigurisë "Arrest me burg" për dy rusët dhe ukrainasit. Mbrëmjen e 20 gushtit, Mikhail Zorin ndodhej në ambientet e jashtme të uzinës duke tentuar të fotografonte objektin. Ai u pikas nga dy ushtarët që ruanin ndërtesën, të cilët tentuan ta ndalonin shtetasin rus, por ky i fundit i sulmoi me spary djegës në fytyrë. 

Në dëshmitë e tyre, tre shtetasit kanë mohuar të kenë lidhje me inteligjecën ruse duke deklaruar se janë turistë që kanë pasion fotografinë.

Të fundit