Flash News

E-TJERA

Sot mbyllet afati, cilët janë 4 prokurorët e dosjeve ‘të nxehta’ që kandidojnë për kreun e SPAK?

Sot mbyllet afati, cilët janë 4 prokurorët e dosjeve

Sot përfundon afati për dorëzimin e kandidaturave për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme.

Katër kandidatë kanë dorëzuar programin e tyre: Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj. Pas dorëzimit të kandidaturave pritet të nisë shqyrtimi i emrave kandidatë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ketë dy muaj në dispozicion për të shyqrtuar kandidaturat, zhvilluar intervistat publike dhe për të marrë vendimin me votim.

Por, kush janë 4 kandidatët që kandidojnë për të qenë pasues të Altin Dumanit në SPAK?

Klodian Braho

Braho ishte i pari që dorëzoi programin e tij si kandidat për kreun e SPAK. Ai është emëruar prokuror i SPAK më 19 dhjetor 2019, pasi u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vettingu). Fillimisht ka punuar si prokuror në Berat (2007–2012), pastaj në Vlorë, ku ka qenë edhe zëvendësdrejtues, e më pas në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë.

Klodian Braho ka hetuar dosjen e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, për akuza si: mosdeklarim të të hollave, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe fshehje të pasurisë.

Ai është përfshirë në hetimin për inceneratorët, ku në mars 2024 dha dorëheqje nga një pjesë e çështjes pasi palë të përfshira ngritën pretendime për mungesë transparence.

Doloreza Musabelliu

Është prokurore në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ka qenë prokurore e Krimeve të Rënda para reformës, dhe pas formimit të SPAK-ut kaloi në strukturat e reja.

Ka hetuar çështje të rëndësishme: trafik droge/armësh, çështje korrupsioni, dhe ajo që quhet “Masakra e Lushnjes”, dosje kjo që vuri në rrezik jetën e saj.

Sipas dëshmive të bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani, grupi kriminal i Laert Haxhiut kishte planifikuar eliminimin e prokurores Doloreza Musabelliu. Ky plan kishte si qëllim ndëshkimin e saj për hetimin e çështjes së masakrës së Lushnjës, ku Haxhiu ishte i dyshuar si autor. Sipas Tafanit, Laert Haxhiu kishte urdhëruar ndjekjen e Musabelliut dhe të familjarëve të saj, duke përfshirë edhe fëmijët, për të identifikuar mundësitë për eliminimin e saj ose të të afërmve të saj.

Adnan Xholi

Është prokuror në SPAK. Fillimisht Xholi e nisi karrierën në prokurori bazë, më pas drejtues në disa prokurori lokale si Gjirokastër, dhe më pas ka punuar në çështje që lidhen me krim të organizuar.

Ka hetuar së bashku me Altin Dumanin goditjen e rrjetit ndërkombëtar të kokainës, një ndër rrjetet më të organizuara të trafikimit të drogës me origjinë nga Amerika Latine.

Ka urdhëruar arrestimin e dy deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku. Ka konfiskuar pasuri të bandave, përfshirë pronat e Aldo Bares, si dhe ka udhëhequr hetime kundër grupimeve të trafikut dhe pastrimit të parave

Elvin Gokaj

Është një prokuror shqiptar që ka qenë pjesë e strukturave të rëndësishme të drejtësisë, përfshirë Prokurorinë e Apelit në Shkodër dhe më pas SPAK-un.

Gokaj ka kaluar një periudhë të vështirë në sistemin e drejtësisë për shkak të procesit të vettingut. Në vitin 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) e ka shpallur të paaftë profesionalisht, duke e pezulluar nga detyra për një vit dhe duke e detyruar të rikthehej në Shkollën e Magjistraturës për trajnime shtesë. Megjithatë, pas një periudhe trajnimi dhe kalimit të ankimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ai është konfirmuar në detyrë në vitin 2020.

Gokaj është angazhuar në hetime të rëndësishme, përfshirë çështje të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një nga çështjet më të njohura ku ai ka qenë i përfshirë është dosja e ish-ministrit Arben Ahmetaj, e njohur si "Dosja Buka". Në këtë çështje, Gokaj ka dorëzuar prova të reja në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) në korrik 2025

Në vitin 2025, Gokaj ka kandiduar për pozitat e drejtorit të SPAK, duke u bërë një nga kandidatët e mundshëm për këtë detyrë.

Të fundit