Flash News

E-TJERA

Sot nis punën legjislatura e 10-të/ Në seancë do të ketë mungesa, opozita rikthehet pas dy vitesh

Sot nis punën legjislatura e 10-të/ Në seancë do të

Sot do të nisë punën legjislatura e 10-të e Kuvendit të Shqipërisë. Në Parlament nuk do të jenë 140 deputetë, pasi për tu bërë zëvëndësimi i deputetëve të dorëhequr si Lefter Koka, Najada Çomo, Gramoz Ruçi dhe Mark Marku duhet të konstituohet Kuvendi.

Pasi të ngrihet Komisioni i Verifikimit të Mandateve, kryesia e Kuvendit pritet t’i drejtohet me një letër KQZ-së që të bëjë zëvendësimin e mandateve. Për herë të parë një forcë politike fiton mandatin e tretë radhazi. Seanca e sotme do të ndahet në dy pjesë, ku betimi i ligjvënësve të rinj do të zhvillohet në orën 17.00.

PS arriti të merrte 74 mandate në zgjedhjet e 25 prillit, PD mori 59, LSI arriti të siguronte 4 deputetë dhe PSD mori 3. Ditët e fundit aletatët e vegjël të PD kanë nisur diskutimet për të krijuar një grup të ri parlamentar.

Seanca e sotme do të drejtohet nga Luljeta Bozo, deputetja më e vjetër në moshë. Më pas tre deputetë me moshën më të re do të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit.

Pas verifikimet të mandateve, deputetët do të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit, i cili duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Lindita Nikolla për të qëndruar në atë karrige.

Për herë të parë, ish-lideri Sali Berisha do të hyjë në Kuvend si i përjashtuar nga grupi parlamentar i PD. Një ditë më parë, kryedemokrati Lulzim Basha vendosi që të largojë Berishën, i cili është shpallur "non grata" nga DASH.  

Të fundit