Flash News

E-TJERA

Sot samiti i “Ballkanit të Hapur”/ 4 marrëveshjet që do të nënshkruhen, Mali i Zi e Bosnja "lëkunden", Kosova e prerë

Sot samiti i “Ballkanit të Hapur”/ 4 marrëveshjet që

Sot nis samiti në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, i cili do të zgjasë dy ditë. Kryeministri Edi Rama, presidenti serb Aleksandër Vuçiçi dhe homologu maqedonas Dimitar Kovaçevski do të takohen sot në Ohër.

Për herë të parë, këtij takimi do t’i bashkohet edhe Mali i Zi. Kryeministri Dritan Abazoviç konfirmoi pjesëmarrjen në rolin e vëzhguesit, pasi Mali i Zi ende nuk e ka marrë zyrtarisht vendimin për t’iu bashkuar “Ballkanit të Hapur”.

Abazoviç mori shume kritika për këtë vendim, pasi paraardhësit e tij në detyrë e kishin refuzuar këtë nismë prej tre vitesh. Samitit do i bashkohet dhe kryeministri i Bosnjës, Zoran Tegeltija, por edhe ky shtet nuk e ka konfirmuar përfshirjen. “Ballkani i Hapur” refuzohet fuqishëm nga Kosova.

Kryeministri r Albin Kurti i ka kthyer një përgjigje negative ftesës së bërë nga homologu i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski. Të mërkurën do të nënshkruhen edhe 4 marrëveshje si pjesë e bashkëpunimit 3 palësh.

Marrëveshjet që do të nënshkruhen:

- KUNDËR EVAZIONIT FISKAL

Në tekstin e Memorandumit që ka të bëj me taksat, thuhet se nënshkruesit kanë parasysh “rëndësinë e shtuar” të bashkëpunimit në luftën kundër evazionit fiskal, gjegjësisht, shmangies së pagesës së tatimit.

- NJOHJA RECIPROKE E DIPLOMAVE

Në tekstin e Marrëveshjes së paraparë në fushën e njohjes reciproke të diplomave, iniciativa mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe MV-së. Marrëveshja me shtatë nene i referohet kualifikimeve të nivelit e pestë (arsimi i lartë), si dhe niveleve gjashtë deri në tetë të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve.

- SHKËMBIMI KULTUROR

Për të promovuar shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, të tri palët synojnë të nënshkruajnë një Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin kulturor në BP. Në shtatë nenet e Memorandumit, nënshkruesit angazhohen për të inkurajuar lëvizshmërinë e punonjësve të kulturës dhe thellimin e bashkëpunimit institucional.

- HARTA KULTURORE

Në Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit në BP, parasheh formimin e një harte turistike të quajtur “Ballkani i Hapur”. Shtetet nënshkruese janë të detyruara të inkurajojnë kontaktet ndërmjet organizatave të tyre turistike dhe punëtorëve, si dhe parashikohet krijimi i grupeve të posaçme të punës për këtë fushë.

 

Të fundit