Flash News

E-TJERA

SPAK çon për gjykim 27 të pandehur nga grupe kriminale; mes tyre Ervis Martinaj dhe Endrit Dokle

SPAK çon për gjykim 27 të pandehur nga grupe kriminale; mes

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim 27 të pandehur, të përfshirë në disa grupe të strukturuara kriminale që kanë vepruar në vend gjatë viteve të fundit.

Në listë figurojnë emra të njohur të botës së krimit, përfshirë edhe Ervis Martinajn, i njohur si “mbreti i lojërave të fatit”, i cili rezulton i zhdukur prej më shumë se dy vitesh.

Hetimi i SPAK-ut është ngritur mbi bazën e përgjimeve të platformës së komunikimit të enkriptuar SkyECC, ku janë zbardhur biseda dhe plane kriminale, mes tyre organizimi i vrasjes së vëllezërve Durim dhe Valter Bami.

Sipas SPAK, Arben Ndoka dhe Arian Tuku identifikohen si drejtues dhe organizatorë të grupit të strukturuar kriminal, të cilët kanë siguruar kushtet materiale dhe logjistike për ekzekutimin e vëllezërve Bami.

Në dosjen e dërguar për gjykim përfshihen edhe emra të njohur si Endrit Dokle, Fatmir Troplini dhe Elson Reçi, të cilët dyshohen për përfshirje në episode të ndryshme kriminale të dokumentuara gjatë hetimeve.

SPAK bën me dije se personat nën akuzë lidhen me vepra penale që variojnë nga krijimi i grupit të strukturuar kriminal, planifikimi i vrasjeve, trafiku i narkotikëve dhe veprimtari të tjera të rënda, të evidentuara nga materialet e siguruara përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

Çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme, ndërsa për disa prej të pandehurve, përfshirë dhe Ervis Martinajn, statusi i tyre mbetet i paqartë për shkak të zhdukjes ose arratisjes.

Të fundit