Flash News

E-TJERA

SPAK godet pasurinë e Indrit Vezit, GJKKO konfiskon kompani, automjete dhe prona

SPAK godet pasurinë e Indrit Vezit, GJKKO konfiskon kompani, automjete dhe

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të konfiskojë disa pasuri të shtetasit Indrit Vezi dhe personave të lidhur me të, pas kërkesës së paraqitur nga SPAK në nëntor të vitit të kaluar.

Vendimi i gjyqtares Flojera Davidhi parashikon kalimin në favor të shtetit të disa automjeteve luksoze, kompanive dhe aseteve të tjera të lidhura me veprimtari të dyshimtë kriminale. Objekt i vendimit për konfiskim janë:

Një autobus i markës Volvo dhe një automjet Mercedes Benz S300, të regjistruar në emër të Indrit Vezit,
Një trailer i blerë nga një prej kompanive të lidhura me familjen Vezi me vlerë 11 mijë euro,
Kuotat si ortak në shoqërinë “Trans Komod” Sh.p.k.,
Firma si person fizik “Dylaver Vezi” me asetet përkatëse në Shkozet, Durrës.
Gjykata gjithashtu ka vendosur të revokojë sekuestron për disa pasuri të tjera, mes tyre apartamente dhe një truall, për të cilat nuk janë konstatuar lidhje të mjaftueshme me veprimtari të jashtëligjshme.

Sipas GJKKO, këto masa vijnë në kuadër të ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit përmes masave parandaluese kundër pasurisë”, ndërsa të gjitha shpenzimet procedurale i janë ngarkuar Indrit Vezit si subjekt i hetimit pasuror.

Vendimi është i ekzekutueshëm menjëherë, ndërsa palët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditësh nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.

Konfiskimi i këtyre pasurive vjen si pjesë e ofensivës së institucioneve të drejtësisë kundër krimit të organizuar dhe pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Të fundit