Flash News

E-TJERA

SPAK kërkon pushimin e çështjes, shtyhet seanca në GJKKO për Irena Gjokën

SPAK kërkon pushimin e çështjes, shtyhet seanca në GJKKO

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, ndodhet në qendër të një beteje ligjore pasi Partia Demokratike e ka kallëzuar për falsifikim dokumentesh. Ajo akuzohet se ka fshehur një dënim të marrë në Greqi në formularin e saj të dekriminalizimit. Ndërsa Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e çështjes, hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme kanë nxjerrë në pah fakte të kundërta.

Zhvillimi i fundit ishte seanca e planifikuar në GJKKO, ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK-ut për pushimin e procedimit penal. Seanca, e drejtuar nga gjyqtarja Marinela Osmani, u shty për në datën 4 maj me kërkesë të njërës prej kallëzuesve, Adriana Kalasë. Në sallë ishin të pranishëm edhe avokatët e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezi, si palë kallëzuese.

SPAK, i përfaqësuar nga prokurori Bledar Maksuti, argumenton se çështja duhet të pushohet. Sipas tyre, procesi gjyqësor në Janinë është zhvilluar në mungesë të gjyqtares Gjoka dhe ajo nuk ka pasur dijeni për të. Për më tepër, SPAK pretendon se ndjekja penale për këtë vepër është shuar për shkak të parashkrimit.

Në një linjë krejt të ndryshme, hetimet dyvjeçare të Prokurorisë së Përgjithshme kanë konfirmuar se vendimi i gjykatës greke është autentik dhe se gjyqtarja e ka fshehur këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit.

Pas konstatimit të shkeljes, Prokuroria e Përgjithshme ia ka përcjellë dosjen Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), duke theksuar se vendimmarrja për masa disiplinore i takon këtij institucioni. Më pas, KLGJ-ja me shumicë votash vendosi t'ia referojë çështjen për hetim të mëtejshëm administrativ Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Fati i gjyqtares Gjoka mbetet i paqartë, me një proces penal të pezulluar dhe një hetim administrativ në vazhdim.

Të fundit