Flash News

E-TJERA

SPAK kërkon rikthimin në burg të Lefter Kokës, 'zhduket' ish-ministri

SPAK kërkon rikthimin në burg të Lefter Kokës,

Prokuroria e Posaçme SPAK kërkon rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, por autoritetet nuk po arrijnë ta gjejnë.

Një njoftim zyrtar për rekursin ndaj lirimit të tij nuk ka mundur t'i dorëzohet, pasi shërbimi postar ka kthyer përgjigje se Koka është larguar nga adresa e deklaruar.

Dy muaj pasi Gjykata e Posaçme e Apelit e liroi Kokën me argumentin se kishin skaduar afatet ligjore të paraburgimit, SPAK e ka ankimuar këtë vendim në Gjykatën e Lartë. Përmes këtij hapi, prokuroria kundërshton interpretimin ligjor të Apelit dhe kërkon rivendosjen e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Për shkak të pamundësisë për ta njoftuar personalisht, Gjykata ka nxjerrë një shpallje publike me datë 17 prill për të vënë në dijeni ish-ministrin mbi zhvillimet e fundit ligjore. Kjo është një procedurë standarde që ndiqet kur i pandehuri nuk gjendet në adresën e tij.

Lefter Koka u arrestua në fund të vitit 2021 në kuadër të hetimeve për aferën e inceneratorëve.

Ai akuzohet për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash. Për dosjet e inceneratorëve të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, Koka është dënuar në shkallën e parë, por vendimet ndaj tij nuk kanë marrë ende formë të prerë.

Të fundit