Flash News

E-TJERA

SPAK mbyll hetimet, çon në gjykatë ish-zëvendës ministren e Brendshme, Rovena Voda

SPAK mbyll hetimet, çon në gjykatë ish-zëvendës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka mbyllur hetimet lidhur me dosjen e ish-zëvendës ministren e Brendshme Rovena Voda.

Me anë të një njoftimi për mediat, SPAK sqaron se Voda bashkë me dy të pandehurat e tjera Majlinda Hasani dhe Florida Beu akuzohen për ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Kështu, sipas SPAK dosja është kaluar në gjykatë për procedura të mëtejshme.

Njoftimi i plotë:

Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë kanë përfunduar hetimet për procedimin penal nr.49/2 viti 2021, që bën fjalë për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (1) dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi (2) i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së këtyre dispozitave para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021.

Në përfundim të hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur prova me të cilat provohet se, e pandehura Rovena Voda, në cilësinë e Zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë marrë dhe janë pranuar me qëllim që e pandehura Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm tek persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtë të pandehurën Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive.

E pandehura Rovena Voda është akuzuar se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi (2) i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021.

Ndërsa, të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (1) dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021.

Sot në datën 13.01.2022, Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Rovena Voda, Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

Të fundit