Flash News

E-TJERA

SPAK zbardh rolin e policit të arrestuar, jepte të dhëna konfidenciale për grupin e Inez Hajrulla

SPAK zbardh rolin e policit të arrestuar, jepte të dhëna

Prokuroria e Posaçme ka detajuar akuzat ndaj Rezart Kuçit, shef seksioni i policisë shkencore në Kukës, i arrestuar për lidhje me aktivitet kriminal. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka luajtur rol mbështetës për grupin kriminal, duke lehtësuar veprimet e tij përmes informacionit dhe aksesit në burime policore.

SPAK pretendon se Kuçi ka siguruar mbështetje logjistike për transportin e lëndëve narkotike, duke ndihmuar në koordinimin e lëvizjeve të dyshuara të drogës. Po ashtu, ai akuzohet se ka nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore, duke i bërë të mundur grupit të shmangte verifikimet e autoriteteve.

Hetuesit po ashtu e lidhin Kuçin me ndërhyrje në pajisje celulare, ku dyshohet se ka fshirë të dhëna me interes për hetimin. Sipas SPAK, ai ka përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS, duke kryer veprime që dyshohet se kanë shërbyer për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal.

Një tjetër element i hetimit lidhet me komunikimet e koduara përmes aplikacionit SkyECC, i përdorur më parë nga grupe të trafikut ndërkombëtar të drogës. SPAK pretendon se Kuçi ka komunikuar përmes këtij sistemi, duke koordinuar veprime që lidhen me aktivitetin e grupit.

Hetuesit e lidhin efektivin e policisë edhe me trafik ndërkombëtar droge. Sipas njoftimit, ai dyshohet si një nga porositësit e 400 kilogramëve kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020 – sasi që u sekuestrua nga autoritetet gjermane. Kuçi dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë të grupit kriminal dhe ka investuar në mjete lundruese që mund të jenë përdorur për transportin e drogës.

SPAK e akuzon Rezart Kuçin për shpërdorim detyre, trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkallën e përfshirjes së tij dhe lidhjet e mundshme me veprimtaritë e grupit kriminal.

 

Të fundit