Flash News

E-TJERA

S'pati trimosha, BKH i përgjigjet Ramës: Nuk ka pasur përplasje me Gardën, vepruam sipas rregullores

S'pati trimosha, BKH i përgjigjet Ramës: Nuk ka pasur

Byroja Kombëtare e Hetimit i është përgjigjur kryeministrit Rama paqs një deklarate që bëri në podcastin e tij.

Rama tha se “tre trimosha të BKH” ishin paraqitur në derën e Kryeministrisë dhe sipas tij, nuk donin të dorëzonin armën tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës.

BKH, në një reagim, ka mohuar që të ketë pasur përplasje mes agjentëve të Byrosë dhe Gardës së Republikës. BKH sqaron se agjentët kishin kërkuar informacion mi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve dhe më pas, kishin vijuar sipas rregullores.

“Më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku.

Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.

Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.

Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.

E drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet tek ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, parashikon shprehimisht se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi për përdorimin e tyre”, thuhet në reagim.

Të fundit